Partia Demokratike mesa duket sot, pas 30 vjetësh nuk do të jetë më partia e Sali Berishës, teksa së fundmi kreu aktual Lulzim Basha mori vendimin e përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së.
Kjo erdhi si pasojë e shpalljes “non grata” nga SHBA e Berishës. Po ndërkohë ky vendim ka sjellë mjaft tensione në kampin blu. Ndryshe nga kundërshtari i tij politik Fatos Nano, Berisha nuk tërhiqet, por lufton për të qëndruar protagonist. Ai ka nisur një tur takimesh me bazën në atë që ai e quan rikthimi i sovranitetit të PD-së. Dhe pse largimin e tij në korrikun e 2013 e quajti si një vendim të padiskutueshëm që asnjë forcë nuk do e kthente në krye të partisë, tashmë në luftën e saponisur ai thotë se kurrë nuk duhet thënë kurrë për një rikthim të mundshëm. Deri më sot, ish lideri i PD-së nuk kishte folur me kritika për pasardhësin e tij, për të cilin sot thotë se PD nuk vjen kurrë në pushtet dhe se Basha është i pakorrigjueshëm.
Por përjashtimi i Berishës është vetëm ngjarja e fundit teksa historia e PD-së mbart përçarje që në fillimet e saj.
29 vite më parë, ishte pikërisht mocioni për reformat e qeverisjes së PD-së që sapo kishte nisur, dhe në historinë e saj njihet konferenca e jashtëzakonshme e gushtit 1992, ku u përjashtuan disa prej themeluesve kryesorë të kësaj partie.
Vetëm dy vjet pasi ishte themeluar si shpresa e madhe e shqiptarëve të shtypur 50 vjet në komunizëm, Partia Demokratike dha leksionin më brutal për lirinë, në një parti politike.
Padyshim protagonisti kryesor është Sali Berisha. Ai e ka shfaqur në një farë mënyrë ndjesën e tij për atë ngjarje që nuk e bën krenare historinë e kësaj partie. Berisha i ftoi në PD të gjithë të përjashtuarit e asaj konference. Shumica iu bashkuan në pranverën e vitit 2005, kur PD po përgatitej për të marrë pushtetin.
CFARE NDODHI NE ATE MBLEDHJE
Demokracia brenda partive ishte pikënisje për themelet e një shoqërie dhe strukture demokratike në Shqipërinë e sapodalë nga komunizmi. Por me demokratët nuk ndodhi kështu, teksa që herët kishin lindur përplasjet mes atyre që luftonin për pushtet dhe atyre për demokraci.
Themelues të PD-së, Arben Imami, Gramoz Pashko, preç zogaj, Arben Demeti, Edmond Trako, Ritvan Peshkëpia, Perikli Teta, Shahin Kadare e të tjerë paraqitën këtë mocion për debat për qeverisjen që Tirananews e sjell të plotë të botuar në gazetën e kohës.
“Këta të moderuar hipokritë dhe kameleonë, këta janë ekstremistë të majtë… morali i tyre është marksizëm leninizëm morali i tyre është e shkuara e zezë ata nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë. Ta dijë mirë se ai s’është i denjë për këtë sallë, s’është i denjë për grupin e deputetëve, s’është i denjë për këtë punë”, do të shprehej vetë Berisha në atë mbledhje për ata që u quajtën “banda e armiqve”, por që në fakt ishin themelues të partisë. Nëse do të shohim rrugëtimin e Berishës në këto 30 vjet, deklarata të tilla janë të shpeshta në fjalorin e tij, duke arritur dhe deri më sot ndaj Bashës.
Në atë mbledhje famëkeqe vjen dhe paralajmërimi i të ndjerit Gramoz Pashko, fjalë të cilat duken aktuale edhe sot: “Më duhet tu kujtoj se kështu siç po bëni është fati juaj i keq që po shkruani emrat në një listë që do të mbetet në historinë e Shqipërisë si lista e atyre që votuan shkatërrimin e PD, partisë së parë antikomuniste në Shqipëri. Mbi të gjitha do të jeni përgjegjësit e drejt për drejtë të pasojave që kjo do të sjellë. Nesër pas kësaj konference ju do të jeni para popullit me gëzimin se shpartalluat të tërë nismëtarët e PD duke iu vënë epitetin se ishim një bandë armiqësore”.
MOCIONI I THEMELUESVE TE PD-SE
Themelues të PD paraqitën këtë mocion në një kohë kur demokratët kishin vetëm 4 muaj që kishin ardhur në pushtet e një muaj më parë ishin mbajtur zgjedhje lokale, ku sipas tyre u shfaq një devijim i PD-së nga disa angazhime.
“Me keqardhje konstatojmë se pas katër muajsh në zgjedhjet e 26 korrikut për pushtetin lokal, elektorati e goditi PD-në. Shumë faktorë mund të renditën për të shpjeguar këtë që ndodhi por ne mendojmë se gjatë 4 muajve në pushtet PD dhe strukturat në fjalë, manifestuan një devijim nga disa angazhime dhe principe kardinale të programit, gjë që faktikisht e ka dëmtuar imazhin e saj. Pikërisht prej këtej nis analiza jonë në përgjegjësinë që kemi ndaj kohës, ndaj demokracisë”, thuhet në atë dokument.
Dhe pse i shkruaj gati 30 vjet më parë, ato çfarë kërkohen në atë mocion janë mëse aktuale edhe sot, ku vijojmë të kemi parti të brishta, me struktura thjesht formale.
“Shembull ka dhënë Kryesia e cila gradualisht është shndërruar në një forum gati formal. Në periudhën e parazgjedhjeve të 22 marsit është verifikuar një punë shkeleshko nga ana e Kryesisë pa vënë në qendër të analizave probleme të mëdha të vendit, pa mbajtur proces verbale”, vijon mocioni i themeluesve të PD-së, duke vënë në pah se nuk funksiononin strukturat e duhura.
Filozofia e përdorimit të pushtetit për të larë hesapet me kundërshtarët nuk e ka zanafillën sot por nuk ka ndryshuar që në fillesat e demokracisë së brishtë shqiptare. Këtë konstaton dhe mocioni i 29 viteve më parë.
“Ne konstatojmë se në mjaft raste pushteti po përdoret për të larë hesapet me kundërshtarë e të ashtuquajtur kundërshtarë të presidentit Berisha e të grupit politik të PD. Mungesa e testimit profesional dhe argumenti primitiv i besnikërisë kanë krijuar në nivele të ndryshme të pushtet një staf të paaftësh që po ribanalizon administratën shtetërore”, thuhet më tej në atë dokument.
Ajo çka ai mocion paralajmëroi vite më parë ndodhi që në konfliktin social të vitit 1997 e vijon ende sot dhe kjo pikërisht për shkak të vendimeve të gabuara politike të partisë së parë demokratike dhe që kishte pushtetin.
“Mos individualizimi i përgjegjësive bën që fajësia të jetë potencial për këdo, kështu që shoqërisë do ti duhet që në vend të arrije paqen sociale, të përleshet pa kuptim në një luftë shoqërore, në një situatë ekzistenciale, agresive, kur kushdo mund të jetë i akuzuar dhe akuzues. E konsiderojmë hapur një lojë të rrezikshme politike që shuan çdo prespektivë demokratike të shoqërisë sonë”, thotë më tej mocioni.
CFARE U PROPOZUA
Mocioni prej dhjetë pikash i figurave të pikasura të PD-së kërkoi në atë kohë të diskutohet në të gjitha nivelet e partisë për problemet që do të shtrohen në këtë mbledhje. U kërkua të thirret Kuvendi i jashtëzakonshëm i PD pas diskutimeve me seksionet dhe këshillat e degëve.
Ata kërkuan të ristrukturohet partia mbi baza demokratike dhe të mbahet qëndrim ndaj fraksionit nepotik, të rishikohet statuti për ti prerë rrugën nepotizmit politikës personale, paaftësisë. Të hartohen rregullore me procedura demokratike për funksionimin e strukturave të PD-së. A po kërkon sot Berisha funksionimin e strukturave që diku iu kërkua atij por që u “vulosën” si armiqësore në atë mbledhje.
Ata kërkuan rikthim të programit të dhjetorit ’90:
a) Për një politikë integrimi të popullit shqiptar në sistemin demokratik.
b)Për paqe e drejtësi sociale, duike hequr dorë nga teza komuniste e përgjegjësisë kolektive
c) Për një kulturë dhe etikë të re politike, larg skenës komuniste të “armiqve”
d) Për ndarjen e partisë nga shteti, kundër partitokracisë.
SOT DHE DJE
Në fakt ky mocion duket aktual dhe sot, por më shumë se përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar vazhdimësia do të tregojë një PD pa ndikimin e tij në gjithë këto vjet dhe a do të ketë Basha përmasën e liderit pa hijen e parardhësit të tij pas.
I ndjeri Gramoz Pashko tha në atë mbledhje: “Ju kam thënë se po shkojmë drejt një tiktaturë të re. Ju sot po sanksiononi atë diktaturë. Por mos harroni se një ditë kjo diktaturë do t’ju përfshijë dhe juve”. E në fakt shumë figura të PD-së më pas u larguan e përjashtuan në të njëjtën mënyrë, e disa prej tyre dhe u rikthyen, por ky paralajmërim i tij sot i vlen Sali Berishës, i cili po largohet pikërisht si pasojë e “asaj diktature” që thotë Pashko, e që krijoi vetë” në parti.
Në rastin e mocionit ishte turma e fanatikëve që “linçoi” themeluesit e PD nën nxitjen dhe mbështetjen e hapur të Sali Berishës. Kurse sot aktin përjashtues e ndermori vetë Basha duke e prezantuar si fakt të kryer në limit të afatit kohor që i kishin lënë në dispozicion amerikanët.
Situata e krijuar ia ka djegur Bashës në dorë kartën justifikuese që për gabimet e rradhës të thotë që “ Fajin e ka Saliu”!






