Kryeministri Edi Rama duke folur për situatën e krijuar në veri të Kosovës tha se pikërisht tani është edhe mëse i bindur e Ballkani i Hapur është rruga e përbashkët. Ai tha se me Albin Kurtin ka mosdakordësi politike, por kjo nuk prek marrëdhëniet vllazërore mes dy shteteve.
“Tani jam edhe më i bindur se sa isha që Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët. Ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalizëm do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, ndërsa patriotizëm të duash të shohësh veten mirë. Natyrisht që kemi mosdakordësi në këtë pikë me Albinin dhe është e rëndësishme ta kuptojnë të gjithë se është e natyrës politike dhe duhet ta trajtojmë si të tillë. Marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre me faktin se kemi një mosdakordës të kësaj natyre. Themeli është i një natyre tjetër, jo politike, kombëtare e vllazërore. Ai është themeli që përcakton karakterin strategjik të marrëdhënies sonë”, tha Rama.
