Në Komisionin e Sigurisë, opozitës nuk i lejohet pjesëmarrja fizike dhe nuk i jepet fjala. Maxhoranca refuzoi kërkesën e PD për të mbajtur 1 minutë heshtje për policin e vrarë sot në krye të detyrës në Lezhë. Përfaqësuesit e PD, Flamur Noka, Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj kërkuan zbatimin e rregullores së Kuvendit për të mos zhvilluar mbledhje online.
“Veprimet e sotme tregojnë më së miri gjendjen që e keni çuar këtë Komision. Një minutë heshtje është i detyrueshëm për çdonjërin prej nesh, për këtë oficer që dha jetën në betejë për rendin ligjin, kushtetutën dhe sigurinë publike, sigurinë e pronës dhe jetës së qytetarëve shqiptarë, në betejë me trafikantët dhe krimin e organizuar”, është shprehur Flamur Noka.
Më pas deputetët e opozitës u ngritën në këmbë në një minutë heshtje.
“Kjo Republikë nuk e njeh gjendjen e jashtëzakonshme. Vendimi i Konferencës së Kryetarëve thotë këtë gjë: Vendimet, mbledhjet e komisioneve merren online, por kur kushtet janë dhe në raste të jashtëzakonshme ato zhvillohen edhe fizikisht. Po a ka mbledhje që është në raste të jashtëzakonshme siç është edhe ky i sotmi për ngjarjen fatkeqe që ka ndodhur? Nuk është kjo mënyra se si mund të vendoset parlamentarizmi në këtë vend”, tha Enkelejd Alibeaj.
“Sot ka ndodhur nje nga ngjarjet me te renda, atentat ndaj shtetit. Humbja e jetes ne krye te detyres e nje efektivi te ndershem, nga te paktet qe lufton realisht krimin dhe gjendjen e perhapur te kanabisit dhe droges anembane Shqiperise. Kushdo qe bie ne lufte me krimin është deshmor i atdheut dhe ne qe jemi te pranishëm fizikisht nuk mund te bejme sikur nuk ekzistojme ashtu sic fshihen ngjarjet dhe mbulohen me propogandë. Ne ekzistojme sic ekziston edhe kriminaliteti, vrasjet, droga, mungesa e rendit dhe sigurisë publike”, tha në komision Ervin Salianji.
