Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se vendimi për mësimin me turne në shkolla nuk është përfundimtar, pasi bëhet vlerësimi i situatës me pandeminë në vend.
Duke folur në rubrikën “Opinion” në “News 24” ministrja Kushi tha se 87% e mësuesve janë të vaksinuar, 71% prej tyre kanë marrë dy doza.
“Është udhëzuesi i ministrisë baza ku ne marrim të gjitha vendimet. Unë e mirëkuptoj shqetësimi për kohëzgjatjen dhe mësimin me dy turne, por duhet të kuptojmë se jemi në kohë pandemie. Jemi dëshmitarë që kohët e fundit kemi pasur rritje të rasteve të reja. Ky vendim nuk është përfundimtar për të gjithë vitin shkollor. 78% e nxënësve në të gjithë vendin e zhvillojnë mësimiin me një turn. Ky vendim nuk është standard për të gjitha. Në ato klasa ku hapsira është e vogël bëhet me turne, kryesisht në qytetet e mëdha. Ndërsa në periferi e zonat rurale mësimi zhvillohet normalisht. Tek shkollat e dëmtuar nga tërmeti ka edhe mësim me 4 turne dhe në këto raste jemi të detyruar ta bëjmë mësimin për 30 minuta. Vitet e fundit ne aplikojmë 6 orë për 3 lëndë. Shpresoj që prindërit të na mirëkuptojnë për vendimet që kemi marrë. Procesi i vaksinimit të mësuesve po shkon shumë mirë. Sot 87% e mësuesve janë vaksinuar, nga këta 71% kanë marrë dy doza”- tha ministrja Kushi.
Ministrja tha se janë parashikuar të gjithë skenarët e mundshëm, ndërsa shtoi se asnjë mësues deri tani nuk ka refuzuar të marrë vaksinën dhe nëse ndodh një gjë e tillë ai duhet të paraqesë test PCR çdo javë.
“Ne kemi parashikuar të gjithë skenarët dhe dimë t’i përgjigjemi të gjithë skenarëve. Shpresoj që me vaksinimin nuk do të shkojmë në ekstremin e mësimit online, por jemi të përgatitur. Edhe Komiteti i Ekspertëve ka një eksperiencë. Nuk marrim asnjëherë një vendim sipas gjykimit tonë. Konsultohemi mirë pasi janë vendime të vështira. Për ne është përgjegjësi e lartë të marrim një vendim që do të dëmtonte cilësinë e arsimit. Përpiqemi të gjejmë balancën më të mirë mes shëndetit dhe mësimit. Nuk kam parë rast të mësuesve që refuzojnë të vaksinohen. Rastet e tyre që nuk janë vaksinuar janë ata që e kanë kaluar Covid pak kohë më parë ose kanë sëmundje të tjera. Në rastet që mësuesit refuzojnë vaksinën duhet test PCR çdo javë. Ky është një urdhër nga MSH”- tha ajo.
