Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka parë nga afër përgatitjet që po bëhen në spitalin Covid 4, i cili mund të rihapet nëse do të ezaurohen kapacitetet në dy spitalet e tjera Covid 1 dhe Covid 3.
“Gati nëse do të kemi nevojë për të hapur Covid 4. Besoj që tashmë po merren masat e fundit për ta patur në forcë në momentin që do të duhet dhe nëse do të ezaurohen të gjitha kapacitetet në dy spitalet aktuale, ku janë më shumë se 273 shtretër. Ndërkohë që këtu janë 108 shtretër pra në të gjithë këtë strukturë, ku edhe pajisjet sigurisht nuk mungojnë me të gjitha materialet. Salla e terapisë intensive është e pajisur me të gjitha pajisjet dhe materialet e nevojshme”, tha Manastirliu.
Gjatë inspektimit të spitalit Covid 4, bashkë me stafin drejtues të QSUT dhe Spitalit Infektiv, Manastirliu theksoi se janë marrë masat për të punësuar më shumë se 150 punonjës, për t’i ardhur në ndihmë gjithë strukturës së angazhuar me Covid-19.
