Për kreun e demokratëve Lulzim Basha kriza mund të zgjidhet pa dialog, kjo pasi sipas tij u tregua se dialogu me Ramën ishte i dëmshëm për interesat e shqiptarëve.
“Kriza mund të zgjidhet pa dialog. Pasi dialogu mes ne e Zotit Rama provoi që ishte i dëmshmën në interesat e Shqipërisë me mënyrën si u keq përdor nga Rama”, tha Basha në një dalje për mediat.
Ftesës së kryeministrit Edi Rama në “Porta a Porta” për të folur, Basha iu përgjigj se populli ka folur dhe do të flasë më 16 mars.
“As komentet e njeriut shkaktar të kësaj krize të shumëfishtë nuk kam ndërmend t’i bëj pjesë të këtij komunikimi sot. Populli ka folur, ka folur dje, do flasë më 16 mars. Edi Rama bën mirë të dëgjojë zërin e popullit dhe ti japë rrugë zgjidhjes politike dhe të lejojë hetimin deri në fund të dosjes 339 dhe dosjes 184”, vijoi më tej kreu i PD-së.
Kryedemokrati tha më tej se po bashkëpunon me Institutin Republikan Amerikan për të sjellë standardet e demokracisë perëndimore në PD. “Me modelin që ne do të ofrojmë, deputetët e ardhshëm të PD do të zgjidhen me parimin një anëtar një votë nga anëtarësia e plotë e PD. Qëllimi nuk është thjeshtë largimi i Ramës po shembja e sistemit që ai ka ngritur”, tha Basha.