Kryeministri Edi Rama tha gjatë bisedës me gazetarët se sot çmimi i naftës është më i ulët se tetë vite më parë duke shtuar se sot ka dhe një takse më shumë atë të karbonit. Për këtë të fundit ai bëri të ditur se nuk do të hiqet, pasi ai që ndot më shumë duhet të paguajë më shumë.
“Ajo taksa e karbonit është aty dhe do rrijë aty, sepse ata pensionistët, që të merremi vesh, të cilëve u qani hallin, nuk janë ndotës të mjedisit dhe konsumatorë të ajrit që thithin për vete, po nuk ndosin për të tjerët. Kur flasim për ata pensionistët, kur flasim për fëmijët, kur flasim për të pamundurit që kanë nevojë për më shumë mbështetje, nga vjen kjo mbështetje? Nga kontributet, kush ndot më shumë do kontribuojë më shumë. Po them që çmimi është sot më pak se sa ishte. Nuk kemi të bëjmë me çmim të paparë, po më i lirë se sa ishte. Duhet dhe të kujtohemi dhe të bëjmë krahasime faktuale që kanë lidhje me realitetin. Ishte sa ishte në bursë, janë çështje që nuk kanë lidhje me temën, se flasim për sektor totalisht privat. Shqipëria nuk prodhon mjaftueshmërisht naftë, dhe nafta që ajo prodhon është naftë e rëndë, me përmbajtje të lartë squfuri që shitet jashtë sepse prodhuesit e saj janë privat si e gjithë bota. Shitet kryesisht për nënprodukte industriale, bitum në radhë të parë. Nuk shkon jashtë për të ushqyer mercedesat dhe alfa romeot. Shqiëpria importon 600 mijë ton, e importojnë subjektet private. E kemi zgjedhur këtë sistem, nuk mendoj se duhet të diskutojmë sistemin”, tha ai
