Shkalla e punësimit në vendin tonë ka regjistruar shifra pozitive, ku sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pjesëmarrja në forcat e punës u rrit lehtë gjatë 3-mujorit të dytë, duke arritur në 76.3%.
Një nga shtyllat kryesore kontribuese në këto shifra pozitive të punësimit ka dhënë turizmi, element i cili vihet re tek sektori i shërbimeve pasi përgjatë periudhës Prill-Maj-Qershor rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve rezultoi 1.8%.
Ndërsa në terma vjetorë punësimi në këtë sektor u rrit me 4.2%.
Nga ana tjetër rënia e punësimit në bujqësi dhe industri, përkatësisht me 5.9% dhe 3.9%, rezultoi në një rënie të punësimit total me 0.9% sipas Bankës së Shqipërisë.
Gjithashtu sipas Bankës së Shqipërisë norma e papunësisë zbriti në 8.3% gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti, duke shënuar përmirësim si krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë që ishte 8.5% ashtu edhe me tremujorin paraardhës që ishte 8.4%.
Për grupmoshën 30–64 vjeç, norma e papunësisë u ul më tej në 7.4%, nga 7.7% që ishte në tremujorëshin e mëparshëm dhe 8.1% një vit më parë.
Referuar Bankës së Shqipërisë në tremujorin e dytë të 2026, pagat vijuan të rriten si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat duke reflektuar qëndrueshmërinë e kërkesës për punë.
Rritja vjetore e pagës mesatare mujore bruto rezultoi 9.8%, e mbështetur nga rritja me 11.6% e pagave në sektorin privat dhe me 7.6% në sektorin publik.
Rritja e pagave u shtri pothuajse në të gjitha degët e ekonomisë, ku ritmin më të lartë të rritjes e shfaqi sektori i ndërtimit, me 22.1%, ndërsa aktivitetet financiare dhe të sigurimit regjistruan nivelet më të larta të pagës mesatare.
