Ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti, pas rikualifikimit të veprës penale nga “shtytja në vrasje” në veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, është dënuar me 6 muaj burgim me kusht.
Hoti akuzohet se përmes një shkrimi të publikuar në “Facebook, shkruante se Albin Kurti ka dy rrugë, ose të lëshojë Kosovën ose mund të vritet.
Aktgjykimi ndaj tij u shpall të hënën, nga kryetarja e trupit gjykues, Alltëne Murseli.
Gjykatësja Murseli ka bërë të ditur se dënimi ndaj Hotit nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.
Gjithashtu, ajo bëri të ditur se trupi gjykues këtë vendim e ka marrë pas riakualifikimit të veprës penale nga “shtytje në kryerje të veprës penale vrasja”, nga neni 172 lidhur me nenin 32, paragrafi 3 të Kodit Penal, në “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafin 1.
