Videoja e koreografit Albi Nako që bullizon një nga fëmijët e spektaklit të kërcimit “T’ka mami yll”, për shkak të peshës, ka bërë xhiron e rrjetit këto ditë, e kjo jo pa arsye. (KLIKO)
Ai është kritikuar për bullizimin e hapur ndaj një konkurrenteje 8-vjeçare dhe raportit të saj me ushqimin, edhe nga personazhe të njohur të ekranit e showbizzit shqiptar.
Mirëpo, pas tij, rrjeti duket se i është ‘sulur’ moderatores Erjona Rusi, që është krah Albi Nakos në juri, e që jo vetëm nuk e kundërshtoi koreografin, por kishte të njëjtin ‘qëndrim’ me të, duke e pyetur vajzën nëse do të ndalonte së ushqyeri për të kërcyer.
Ndonëse nuk ka patur asnjë reagim deri më tani nga Albi dhe Erjona, në profilin e Erjonës kanë vërshuar komentet e ndjekësve, në një foto të 16 shtatorit, kur moderatorja njoftonte se do të ishte pjesë e spektaklit, për herë të parë si juri, pas 20 viteve karrierë. Në rreth 400 komente, pa dyshim më shumë se gjysma, janë reagime lidhur me videon e fundit, që ka trazuar rrjetin.
Shumë prej ndjekësve i komentojnë se 20 vite karrierë nuk i vlejnë për asgjë në një moment që i drejtohet një fëmije naiv në atë mënyrë. “20 vite karrierë? OK, po s’ke karrierë njerëzore së pari”, shkruan një prej ndjekësve, në komentin që numëron qindra ‘likes’. “Karrierë quan body-shaming të fëmijëve 8 vjeç mesa duket, karrierë quan bullizmin e hapur, jo vetëm para një studioje kërcimi, po para një programi që është i hapur për ta parë gjithë vendi”, shkruan një tjetër.
Një pjesë tjetër ndjekësish, pyesin moderatoren sesi do të ndihej nëse dikush do t’ia bënte këtë pyetje vajzës së saj. Ndërkohë,
nuk mungojnë as ironitë në radhën e komenteve, si për shembull: “Të pëlqen më shumë të hash apo të prezantosh?”, ose “Ke ngrënë ndonjë gjë sot?”.
Sakaq, disa të tjerë, shprehin çudi, sesi Erjona, “e vetëdeklaruar feministe”, dhe ‘avokate’ e të drejtave të njeriut, bën pikërisht të kundërtën e asaj që vetë ka kërkuar.“E di cili është detaji më tragjikomik në këtë histori? Që para pak kohësh intervistove një vajzë që në moshën 12-vjeçare kishte tentuar vetëvrasjen falë bullizmit”, i shkruan një ndjekëse Erjonës, referuar një interviste të mëparshme të saj.
Nuk e dimë, nëse Erjona ka dashur thjesht të kalojë me humor situatën, pas komenteve të Albi Nakos, mirëpo kurrsesi nuk duhej kaluar as me shaka e as me të qeshura. Duke qenë se prej vitesh, Erjona njhet si mbrojtëse e kauzave të lidhura me të drejtat e njeriut, duket se nuk ka një shpjegim për reagimin e saj…
Megjithatë, është pak, por e sigurt se të evidentosh një fëmijë prej një problemi fizik apo prej peshës nuk është e pranueshme askund, as në mjedise të ngushta private, e aq më tepër në telvizion, në një program që si fokus ka nxitjen e talentevë të fëmijëve. Ndonëse “dëmin” nuk e shlyen një kërkesë faljeje, pas gjithë kësaj ‘gjullurdie’, kjo do të ishte ndoshta gjëja më e duhur që mund të bëjnë moderatorja dhe koreografi…