Tre persona janë shoqëruar nga policia pasi dyshohet si të përfshirë ose si persona që kanë dijeni në lidhje me grabitjen e ndodhur 4 ditë më parë në zyrat e administrimit të Tokës në Vlorë.
Ende nuk bëhet me dije identiteti i tyre. Ndërsa pritet të mësohet nëse ata janë persona që punojnë në këtë godinë apo të jashtëm.
Dyshohet se katër ditë më parë persona të paidentifikuar me maskë dhe të armatosur u futën në këto zyra në ambientet e pallatit të Kulturës në Vlorë ku mësohet të kenë marrë dosjen për pronat e fshatit turistik “Dhërmi”.
Bardhi Gjika, drejtori i kësaj zyre tregoi se grabitësit ishin futur nga dritarja e zyrës së zëdhënësit dhe kanë dalë nga dera kryesore pasi kanë thyer dyert e dy zyrave, asaj të pronës dhe të Mbrojtjes së tokës.
