Vdekja e katër turistëve rusë në një hotel në Qerret të Kavajës duket se ka ardhur si pasojë e helmimit nga klori që është përdorur për pastrimin e pishinës ku ata u gjetën të pajetë.
Burime nga prokuroria bëjnë me dije se, kjo është një nga pistat kryesore për shkak se ditën kur ndodhi ngjarja është kryer edhe dizinfektimi me klor i pishinës.
Në pyetje është marrë edhe personi që ka pastruar pishinën e brendshme të hotelit “Gloria Palace” që ka ndihmuar hetuesit për të zbardhur ngjarjes.
“Turistët rusë komunikuan me personelin e hotelit dhe kërkonin tu vihej në dizpozicion pishina dimërore. Ajo ishte mbyllur prej 1 jave, ndërsa mëngjesin e së premtes e pastrova me klor”, mësohet të ketë thënë ai para grupit hetues.
Pas kësaj dëshmie hetuesit kanë dyshime se mund të jetë përdorur sasia e madhe e klori duke sjellë edhe asfiksinë e tyre. Për të provuar këtë hetuesit, kanë marrë kampionë të ujit për të mësuar sasinë e klorit që gjendej në të.
