Kreu i komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj tha se deputetët e PS u larguan pa arsye nga mbledhja e Komisionit. Sipas tij arsyeja ka qenë pikërisht e drejta e çdo anëtari për kërkimin e provave.
“Kërkojnë me forcën e kartonit të kufizojnë të drejtën e opozitës për të kërkuar prova e për të hetuar. Po ligji na e garanton”, tha Alibeaj.
Ai e quajti një strategji të menduar largimin e tyre. “Një strategji e menduar prej tyre për të bërë të pamundur veprimtarinë e mbledhjes së komisionit, pa asnjë arsyetim. Në fakt arsyetimet i dëgjuat. Dy ishin propozimet e palës tjetër që nuk u ra dakord. Bëhej fjalë për drejtimin e komisionit, ligji e përcakton qartë se komisioni hetimor drejtohet nga kryetari që cakton datën, orën dhe rendin e ditës. Propozimi tjetër ishte më i rëndë dhe që demaskonte qëndrimin e PS, për një çështje që ka qenë gjithmonë debat dhe tashmë është zgjidhur dhjetë vite më parë se kjo cështje ka kaluar dhe në gjykatë kushtetuese, bëhet fjalë për të drejtën e çdo anëtari të komisionit hetimor për të kërkuar marrjen e provave dhe që kjo e drejtë pranohet pa votim, e drejtë ekskluzive e çdo anëtari. Për këtë arsye ishte dhe largimi pjesë e një strategjie penguese. Më pas kalova në pikën tjetër të rendit të ditës që ishte një kërkesë për përcaktimin e sekretarit, kërkesë e tyre që nuk u ezaurua. Ajo që dua të them është se baza normative për funksionimin e komisioneve hetimore është e plotë”, tha ai.
Alibeaj lajmëroi se mbledhja e radhës do të jetë më 27 tetor në orën 11.00 ku “do të ecet para me kërkesat për marrje dokumentesh, për plotësim dokumentacioni nga secili deputet dhe nga të PS, në funksion të planit hetimor paraprak që është miratuar”.
