Buxheti i viti 2022 në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale është përqendruar në shtresën vunerabël dhe në nevojë të shoqërisë si dhe në rritjen e pagave për punonjësit shëndetësor.
E ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është shprehur se përveç rritjes së ndihmës ekonomike do të jenë 15 mijë familje në nevojë të cilave do u trefishohet ndihma ekonomike.
Po ashtu punonjësit e sistemit shëndetësor do të përfitojnë nga ky buxhet rritjen me 6% të pagës. Manastirliu tha se do të vazhdohet edhe me investimet e nisura dhe për çdo skenar ka nga një plan.
Është miratuar buxheti i ri për shëndetësinë dhe është mjaft e rëndësishme. Si prioritet i financimit a ka një rritje për buxhetin për shëndetësinë?
Ateherë unë doja të ndalesha në të dy sektorët që mbulon Ministria e Shëndetësisë. Në tërësi buxheti i viti 2022 që qeveria ka miratuar dje pas një pune vërtet voluminoze për të identifikuar dhe për të adresuar të gjitha nevojat e sektorëve, ne kemi vendosur që të kemi një rritje të mburojës sociale dhe gjithashtu një konsolidim në rritje për sa i përket buxhetit për shëndetësinë duke adresuar padyshim pandeminë por edhe duke vijuar me investimet e reja në shëndetësi. Dua të ndalem tek mbrojtja sociale, tek ata që kanë më shumë nevojë dhe që janë përfitues të paketës tonë sociale dhe ndërkohë përfitojnë nga programi ynë i ndihmës ekonomike. Qeveria ka vendosur të rrise masën e ndihmës ekonomike për familjet përfituese të ndihmës ekonomike me 10%. Ndërkohë që do të ketë një politikë për shenjëstruar për rreth 15 mijë familje që pas vlerësimit janë identifikuar me karakteristika ekonomiko-sociale që duhet të mbështeten më shumë dhe janë pikërisht familjet që kanë mbi 3 fëmijë deri në moshë 18 vjeç që janë pjesë e përfituesve të ndihmës ekonomike të cilëve do t’u dyfishohet ndihma ekonomike. Ndërkohë që janë disa kategori që përfitojnë nga programi social që janë fëmijët jetimë, gratë e trafikuara dhe të dhunuara të cilave si kategori do t’u trefishohet ndihma ekonomike. Kjo është paketa me politika që prek të gjitha familjet me ndihmë ekonomike, por edhe me politika të shenjëstruara për kategori që vlerësohen që duhen të mbështeten akoma më shumë nga buxheti i shtetit. Patjetër që shëndetësia ka fokusin e vet dhe buxheti i shëndetësisë vjen me një buxhet të aplikuar për rritjen e vaksinave duke iu përgjigjur të gjithë skenarëve që mund të ketë dhe që mund të na sjelli viti tjetër. Pra do të garantojmë furnizimin me vaksina në bazë të planit tonë kombëtar dhe duke përfshirë edhe dozën e tretë të vaksinës që u miratua edhe nga Komiteti i Ekspertëve dhe sigurisht edhe hapjen e grup moshave të vaksinimit. Ndërkohë që edhe një tjetër politikë e re, por tashmë e konsoliduar në vijim të mbështetjes së mjekëve, infermierëve dhe atyre të cilëve në fakt përgjatë këtyre viteve kanë treguar se dinë të punojnë me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, por që ne e kemi mbajtur këtë zotim për rritjen e pagave përgjatë gjithë këtyre viteve, por edhe gjatë vitit 2022 do të ketë një rritje pagash për mjeket dhe infermierët me 6% duke filluar nga 1 korriku. Personeli shëndetësor në rang vendi.
Pra ne jemi të përgatitur me këtë buxhet për çfarë do lloj situate që mund të na ofrojë një e papritur?
Patjetër. Sipas skenarëve ne kemi një plan me të cilin ecim. Është plani 2-vjeçar për sa i përket impaktit Covid dhe post-Covid dhe ecim edhe me projektbuxhetin afatmesëm i cili parashikon të gjitha tavanet buxhetore të ministrisë duke parashikuar edhe skenarë të ndryshëm. E rëndësishme është që buxheti jo vetëm që financon politikat e nisura gjithashtu edhe shpenzimet për ente dhe programe të reja, por hap edhe politika të reja, programe të reja për mbështetjen e grupeve në nevojë dhe garantimin e shëndetit publik.
