Qytetarët e Krujës mund të jenë helmuar nga kultivuesit e kanabisit në këtë zonë. Nga raportimet në media, mësohet se pista e parë ku po hetohet është ndërhyrja e kultivuesve të kanabisit në Malësinë e Krujës.
Të njëjtat burime shtojnë se kultivuesit kanë çarë tubat e ujësjellësit për të furnizuar me ujë tokat e mbjella me bimët narkotike, por kjo gjë ka bërë që uji të kontaminohet dhe banorët të përfundojnë në spital.
Uji në qytetin e Krujës ka pasur ngarkesë bakteriale të Escherichia Coli dhe Streptokokut Fekal. Ky ishte rezultati i analizave mikrobiologjike që dolën pas ekzaminimeve që u bënë nga Instituti i Shëndetit Publik. Pikërisht këto baktere janë shkaku kryesor i diarresë dhe që kanë bërë që 500 qytetarë të Krujës të paraqiten në spital përgjatë tre ditëve me simptoma helmimi.
