Kryeministri Edi Rama tha në fjalën e tij në Kuvend se afatet e rindërtimit nga tërmeti nuk u arritën për shkak të pandemisë.
“Ndërkohë mes angazhimeve tona për të adresuar pasojat e tërmetit dhe afateve të vendosura ka ndodhur diçka që ka tronditur gjithë botën z. Xhaferi, pandemia. Ju kujtoj që kanë qenë muaj të tërë në të cilët kantieret janë bllokuar, dhe detyrimisht dhe afatet do të shtyheshin. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt, është aspekti tjetër. Mbi çfarë baze i ngrini gjithë këto akuza e flisni për babëzi e makutëri? Keni ndonjë shifër? Keni ndonjë fakt? Shkollat kanë standarde, kanë kritere, kanë preventiva janë zhvilluar si proces ndërtimi me gara”, tha Rama duke u shprehur se opozita është krenare se promovoi masakrën urbane.
“Për ju janë të panevojshme të tepërta, janë kot këto për të cilat flasim ne dhe për të cilat investohemi ne. Megjithatë, numri i familjeve që sot gëzojnë shtëpinë është i madh dhe do të rritet eksponencialisht në javën e fundit të këtij muaji dhe ju ftoj të na bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive dhe të apartamenteve për mijëra familje deri në datën 26 nëntor që bëhen dhe dy vjet nga tërmeti dhe ku ju do shihni me sytë tuaj se si në Ishëm, po jo shumë larg Durrësit është dhe Thumana, Fushë Kruja, Laçi e Bubqi, po spërtoni mund të vini me ne dhe në Lezhë, Tiranën ja ku e kemi shkojmë bashkë te “5 maji” dhe ti shihni me sytë tuaj”, tha ai.
