Përsa i përket përfshirjes së vendeve të tjera të rajonit në Ballkanin e Hapur kryeministri Rama tha se është këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë. Ai tha se në dhjetor kur plani për kompanitë e tre vendeve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut të jetë gati për sipërmarrësit, do të kërkojnë të përfshihen edhe kompanitë e vendeve të tjera, përfshi këtu dhe Kosovën.
“Në dhjetor kur ne të bëjmë takimin në samitin e radhës në Tiranë dhe ne ti dorëzojmë të gjithë atyre sipërmarrësve që takuam sot, nga më të mëdhatë të tre vendeve që kanë ndërveprim me vendet respektive, çfarë kemi konkluduar si zbatim i procesit të Berlinit dhe kur ti përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, un po ju them që mos u çudisni që kompanitë nga Mali i Zi, Bosnje dhe nga Kosova do vijnë përpara se të vijnë qeveritë e tyre të përfshihen në gjithë rrjetin e lëvizjes. Kjo mund të duket absurde po ka absurditetin ballkanik brenda për të mos pas probleme kur hyjnë në vendet tona si kompani. Mos u çudisni se kjo nuk është asnjë tekë, por kërkesë ulëritëse e ekonomive tona, njerëzve tanë, qytetarëve e sipërmarrësve”, tha Rama.
