Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen e sotme shqyrtoi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2022” për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Në fjalën e saj kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko kërkoi më shumë fonde për pajisjet elektronike të institucionit.
Qirko tha se, “pas katër vitesh punë dhe angazhim maksimal, KPK ka dhënë kontributin më të rëndësishëm në avancimin e procesit të rivlerësimit kalimtarë të subjekteve të rivlerësimit duke i hapur kështu rrugën ngritjes së institucioneve të reja të sistemit dhe të Reformës në Drejtësi”.
“KPK, për hartimin e kërkesave të projektbuxhetit për vitin 2022 është mbështetur në legjislacionin në fuqi dhe udhëzimet përkatëse për përgatitjen e programit buxhetor afatmesëm. Kërkesat buxhetore të KPK-së janë hartuar në një program të vet të emërtuar ‘Veprimtaria e vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve’. Në këtë program është hartuar dhe deklarata e politikës së programit ku hartohen dhe prioritetet dhe standardet që synohen të përmbushen. Në deklaratë e politikës së programit përcaktohet, si prioritet angazhimi nga KPK për rivlerësimin kalimtar të gjithë subjekteve të rivlerësimit, me qëllim garantimin e funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemi të drejtësisë, si dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë”, tha ajo.
Qirko shtoi se projektbuxheti është pak a shumë i njëjtë me vitin 2021, me disa kërkesa të caktuara, të detajuara në projektbuxhet.
Në lidhje me programin e fondeve buxhetore për vitin 2022, drejtori ekonomik i KPK, Agim Paskali tha se, “kërkesat tona janë më të larta sesa parashikimi i buxhetit, sepse ne kemi një zë që pagesa e vështirësisë që asnjëherë nuk na planifikohet direkt si dhe një problem me vjetërsinë në punë të stafit. Janë 36 veta dhe kjo asnjëherë nuk del e qartë nëse është planifikuar nga Ministria e Financave, dhe konkretisht në vitin 2022 ne kërkojmë zërin e pagave 200 milionë lekë, në sigurime shoqërore shumën 12 milionë lekë dhe për shërbimet operative në tavan buxhetor ne kemi 2 milionë lekë, kur kemi kërkuar 3 milionë mbi tavanet buxhetore. Këmbëngulim që investimet të na bëhen 5 milionë lekë, sepse kemi pajisje të amortizuara. Kështu buxheti ynë në total shkon në 261.5 milionë lekë. Investimet i kërkojmë për zëvendësimin e pajisjeve”, tha ai.
Drejtoresha e Përgjithshme e buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Mimoza Dhëmbi tha se buxheti i KPK-së është punuar në bazë të metodologjisë që është në fuqi.
“Në fakt, kemi pasur një konflikt me pagesën e vështirësisë, mënyra e llogaritjes së pagës. Ne përdorëm një metodologji me vendim të KM, në fakt ka pasur probleme juridike dhe vendimi ka mbetur pezull. Në fakt do të ishte mirë që të kishim një interpretim fiks në një metodologji të caktuar. Ne jemi të gatshëm të llogarisim çdo gjë që ju takon sipas interpretimit ligjor. Në kërkesën e KPK shoh që kërkojnë orë jashtë orari, një pagesë për këshilltarët, të cilat janë të interpretueshme”, tha ajo.
Relatori, Alqi Bllako tha se çfarë janë detyrime të cilat lindin nga parashikimet ligjore nuk mund të jenë çështje interpretimi, por duhet të zbatohen si të tilla.
“Edhe në këtë rast nëse pagesat për vështirësi janë të parashikuara me ligj, pa diskutim Ministria e Financave duhet ti marrë në konsideratë, sepse nuk mund të ecim në pafundësi me teori që jemi duke pritur miratimin e një metodologjie nga Këshilli i Ministrave. Kjo kërkesë e KPK-së duhet të merret në konsideratë”, tha ai.
Bllako tha se “për sa i përket zërit të shpenzimeve operative, nuk mendoj se ka nevojë për shtesa në buxhetin e ardhshëm, fakti se realizueshmëria për vitin buxhetor 2021 në 9-mujor është në nivel të ulët dhe mendoj se fondi është i mjaftueshëm edhe për vitin e ardhshëm. Për sa i përket investimeve është parashikuar një fond prej 2 milionë lekësh, dua një sqarim nga KPK, pse kërkohen lekë shtesë”.
Kryetarja e KPK-së, Qirko tha se “ne, gjatë periudhës së pandemisë konstatuam disa problematika në lidhje me infrastrukturën për sa i përket punës online dhe këto do t’i përdorim për një infrastrukturë elektronike”.
