Kanë kaluar dy vite nga tërmeti tragjik me magnitudë 6.4 shkallë të shkallës rihter i 26 nëntorit të 2019, ku për pasojë humbën jetën 51 qytetarë dhe mbi 1000 të tjerë u plagosën.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje tragjike që akoma vijon të ketë gjurmë për zonat e prekura.
Kreu i qeverisë shkruan se tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë.
“MIRËMËNGJES 🇦🇱
Tragjeditë sprovojnë njerëzit, popujt, shtetet dhe dy vjet nga fatkeqësia marramendëse e tërmetit, duke kujtuar humbjet, plagët, dhimbjet e duke parë çka mundëm të bëjmë deri këtu, mund të themi pa ndroje se sot jemi ngritur më të fortë e po ashtu mund të marrim frymë të lehtësuar, për faktin se mijëra familje të goditura prej asaj fatkeqësie sot janë më mirë se sa përpara goditjes prej saj😍
Kujtoj me dhimbje familjet që humbën njerëz të dashur dhe mbetem mirënjohës pa fund për të gjithë ata që dhanë ndihmën e parë, që u solidarizuan nga të katër anët e vendit dhe të botës me të goditurit nga fatkeqësia, që punuan e punojnë pa pushim për të kthyer deri familjen e fundit në shtëpi më të mirë, më të fortë, më të bukur”, shkruan Rama.
