Virgil Abloh, themeluesi i markës luksoze Off-White dhe drejtori artistik i veshjeve për meshkuj në Louis Vuitton, ka ndërruar jetë nga një betejë me kancerin në moshën 41-vjeçare. Abloh kishte qenë duke luftuar në heshtje me sëmundjen për disa vite. Lajmi është bërë me dije në rrjetet zyrtare nga menaxherët e tij.
“Me hidhërim njoftojmë ndarjen nga jeta të Virgil Abloh, një baba, bashkëshort, bir, vëlla dhe mik jashtëzakonisht i përkushtuar. Ai la pas gruan e tij të dashur Shannon Abloh, fëmijët e tij Lowe Abloh dhe Grey Abloh, motrën e tij Edwina Abloh, prindërit e tij Nee dhe Eunice Abloh, si dhe shumë miq dhe kolegë të dashur.
Për më shumë se dy vjet, Virgil luftoi me guxim një formë të rrallë, agresive të kancerit, angiosarkoma kardiake. Ai zgjodhi ta duronte betejën e tij privatisht që nga diagnoza e tij në 2019, duke iu nënshtruar trajtimeve të shumta sfiduese, të gjitha ndërsa drejtonte disa institucione të rëndësishme që përfshijnë modën, artin dhe kulturën.
Përmes gjithë kësaj, etika e tij e punës, kurioziteti i pafund dhe optimizmi nuk u lëkundën kurrë. Virgil u nxit nga përkushtimi i tij ndaj zanatit dhe misionit të tij për të hapur dyert për të tjerët dhe për të krijuar shtigje për barazi më të madhe në art dhe dizajn. Ai shpesh thoshte: “Gjithçka që bëj është për versionin tim 17-vjeçar”, duke besuar thellë në fuqinë e artit për të frymëzuar brezat e ardhshëm.
Ju falënderojmë të gjithëve për dashurinë dhe mbështetjen tuaj, dhe kërkojmë privatësi teksa pikëllojmë dhe festojmë jetën e Virgil.
Abloh në 2009 bëri një praktikë te Fendi së bashku me Kanye West. Më pas bashkëpunoi me Kanye dhe nisi themelimin e Off-White. Abloh ishte amerikani i parë me origjinë afrikane që ishte drejtor artistik i një shtëpie mode luksoze franceze. Në vitin 2018, ai u cilësua nga Time si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë.
Koleksionet Off-White shquhen për faktin se Virgil arriti të “kapë” elementet ikonike të epokës dhe t’i fusë ato në kontekstin e modës aktuale. Virgil Abloh është një gjeni i modës moderne, ndikimi i të cilit është me të vërtetë i jashtëzakonshëm përtej kufijve të saj. Si një artist i vërtetë, Abloh, duke u mbështetur në arritjet e të tjerëve, krijoi realitetin e tij.