‘Kutia e zezë e tokës’ (Earth’s Black Box) është emri i një projekti të udhëhequr nga kompania e komunikimit të marketingut Clemenger ‘’BBDO’’ në bashkëpunim me studiues nga Universiteti i Tasmanisë.
Kutia e zezë gjigande me strukturë çeliku, me përmasa 10-4-3 metra, e cila do të pozicionohet në një fushë graniti të rrethuar nga male të larta në ishullin e largët australian të Tasmanisë, do të ndërtohet në fillim të vitit 2022 dhe do të ketë të njëjtin funksion si kutitë e zeza të përdorura në aeronautikë (kuti të cilat regjistrojnë informacione në lidhje me fluturimin në rast përplasjeje ose aksidenti).
Kutia e zezë shkarkon të dhëna shkencore dhe nëpërmjet një algoritmi nxjerr materiale që kanë lidhje kryesisht me ndryshimet klimatike. Ajo dokumenton dhe ruan përditësime dhe analiza shkencore në kohë reale të problemeve me të cilat përballet bota sot.
Faqja zyrtare e The Black Earth Fund’s deklaroi: “Nëse nuk e ndryshojmë rrënjësisht mënyrën tonë të jetesës, ndryshimet klimatike dhe rreziqe të tjera si rezultat i aktivitetit shkatërrues njerëzor do të çojnë në rënien e qytetërimit tonë”.
Ndër të tjera, kjo kuti do të regjistrojë gjithashtu të dhëna si nivelet e dioksidit të karbonit atmosferik, temperaturat mesatare dhe do të përdorë një algoritëm për të zgjedhur dhe ruajtur lajme, tweet-e, postime apo publikime, të cilat do të mblidhen dhe do të ruhen për brezat e ardhshëm. Pra, nëse një ditë ky arkiv do të gjejë brezat e ardhshëm, ata do të jenë në gjendje të kuptojnë se çfarë na ka ndodhur ne në Tokë.
Duke përdorur abstraksionin dhe arkivimin, zhvilluesit vlerësojnë se do të ketë kapacitet të mjaftueshëm të ruajtjes së të dhënave për 30 deri në 50 vitet e ardhshme, ndërkohë po kërkohen mënyra për të rritur këtë kapacitet dhe metoda të tjera për ruajtje më afatgjatë.
“Qëllimi i pajisjes është të sigurojë një përshkrim të paanshëm të ngjarjeve që mund të çojnë në shkatërrimin e planetit, të mbajë të përgjegjshëm brezat e ardhshëm dhe të inkurajojë shoqërinë e sotme që të veprojë me shpejtësi për të shmangur vendimet më të këqija që mund të marrim,” thonë krijuesit.
