Sikurse Presidenti amerikan Joe Biden, që vendosi për bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore në Kinë, një rrugë të tillë do ta ndjekë edhe Kosova.
Nga zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmuan se bojkoti diplomatik bëhet për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e Kinës, dhe gjenocidit të vazhdueshëm të ushtruar nga Kina, kryesisht në Xinjiang.
“Presidentja Osmani mbështet vendimin e ShBA-së për bojkotin diplomatik ndaj Kinës. Sikurse edhe homologët e saj nga ShBA-ja, Australia dhe Britania e Madhe, Presidentja Osmani shkaku i shkeljes së të drejtave të njeriut nga autoritetet kineze, do t’i bojkotojë Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.
Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin do të mbahen në muajin shkurt të vitit 2022.
Kupina shtoi se, ky bojkot diplomatik, sikurse edhe i vendeve të tjera, nënkupton që ekipet garuese marrin pjesë në Lojëra, porse Presidentja e Kosovës do t’i bojktojë të gjitha ceremonitë dhe aktivitetet zyrtare për krerët e delegacioneve gjatë Lojërave Olimpike në Pekin.
Zyrtarët e administratës Biden konfirmuan të parët që asnjë zyrtar amerikan nuk do të marrë pjesë në Olimpiadën Dimërore, si vërejtje ndaj Kinës që po shtyp pakicën myslimane, ujgurët në provincën perëndimore në Xinjiang.
Jeton Rudari, që ka menaxhuar gjithë sistemin dhe paraqitjen e sportistëve, tha se deri tani e konfirmuar është pjesëmarrja e Albin Tahirit.
Tahiri është skiator, i cili ka siguruar normat e kërkuara për të marrë pjesë në këto Lojëra Olimpike Dimërore. Ai jeton në Slloveni dhe Kosovën do ta përfaqësojë për herë të dytë në ngjarjen më të madhe të sporteve dimërore.
“I konfirmuar është Albini. Në garë janë edhe dy të tjerë, Arbi Pupovci dhe Kiana Kryeziu. Tahiri ka fituar 5 norma të ndryshme. Kiana dhe Arbri janë në garë deri më 15 janar. Po presim të shohim nëse fitojnë normat e kërkuara që të marrin pjesë”, tha Rudari për Reporteri.net.
Me qëllim të përgatitjes dhe pjesëmarrjes së sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022, Komiteti Olimpik i Kosovës do të përkrahet edhe me një vlerë financiare prej 56 mijë e 815 euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin 2022, do të mbahen nga 4-20 shkurt 2022.
Bojkoti që po bëhet vlen për zyrtarët e lartë, dhe sipas z. Biden, po ashtu edhe Presidencës në Kosovë, nuk do të ndikojë te atletët që planifikojnë të konkurrojnë në Lojërat Olimpike.
Qeveria e Kinës ka qenë vazhdimisht nën kritika të ashpra edhe për trajtimin që ua ka bërë sportistëve kinezë.
Për dekada të tëra, Qeveria e Kinës është përpjekur të asimilojë me forcë ujgurët në Xinjiang përmes ndalimit të mbajtjes së fesë dhe kulturës, duke i abuzuar, torturuar e dhunuar.
