Gazetari i njohur, Carlo Bollino, tha sonte se Sali Berisha tashmë betejën kryesore e ka me Lulzim Bashën për marrjen e Partisë Demokratike. Bollino komentoi ngjarjet në selinë e PD ku Berisha dhe mbështetës të tij hynë brenda ambienteve të selisë. Ai tha se pavarësisht përpjekjeve të Berishës, strukturat kryesore të partisë dhe shumica e grupit parlamentar janë përkrahës të Lulzim Bashës.
“Ishte një akt force dhe sfidë ndaj Lulzim Bashës. Ai vajti në selinë e PD për të marrë atë që e quan ‘shtëpia ime’ ndërkohë që ajo është shtëpia e të gjithë demokratëve. Sot bëri një akt politik force, por jo të fundit. Betejën tani e ka me Lulzim Bashën dhe jo më SHBA. Edhe statuti i ndryshuar nëse do të njihet nga gjykata është një dokument që Berisha të marrë Partinë Demokratike. Berisha kontrollon pak a shumë 15 deputet, ndërsa shumica dërrmuese është me Lulzim Bashën. E njëjta gjë edhe në Kryesi. Kështu që strukturat kryesore të PD-së janë në dorën e Lulzim Bashës. Dhe për t’i çmontuar këto struktura organizoi Kuvendin” – tha Bollino.
Ai shtoi se e vetmja zgjidhje për atë çka po ndodh në PD është vendimi i Gjykatës.
“Palët duhet t’i drejtohen gjykatës sepse një parti politike është si një OJF me statut dhe struktura. Në këtë pikë duhet gjykata ta ndihmojë rastin në fjalë. Nëse kjo ndodh aty do të ndodhë edhe përplasja e madhe” – tha Bollino.
Gazetari Carlo Bollino komentoi në emisionin ‘Kontrast’ edhe ‘mea culpa’-n e Lulzim Bashës i cili riktheu në vëmendje rastet e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos. Bollino tha se Basha dështoi ta bindte Berishën të largohej nga politika. Ai shtoi se kjo që po ndodh mes Bashës dhe Berishës është një dhuratë e jashtëzakonshme për Edi Ramën dhe qeverinë socialiste.
“Lulzim Basha nuk ka alternativa të tjera. Proçes vetëshkatërrimi, dhuratë e jashtëzakonshme për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Në rastin e Tom Doshit dhe Vangjush Dakos të shpallur non-grata, Rama arriti t’i bindë ata që të tërhiqe nga politika, ndërsa Basha nuk mundi ta bënte këtë me Sali Berishën.
Ndërkohë po ta mbani mend, gjatë gjithë fushatës Edi Rama e ka mbajtur fushatën me një emër: Sali Berisha. Pra duke u thënë shqiptarëve që po votuat Lulzim Bashën, fiton Sali Berisha. Dhe tani krejt papritur i vjen një dhuratë nga vetë PD. Nëse partia mbetet në dorën e Berishës, ka marrë fund partia. Do të ndodhë ajo që ndodhi me Berluskonin apo me ‘5 Stelle’” – tha Bollino.
Për Carlo Bollinon, përplasja e madhe në PD pritet të ndodhë pikërisht në 18 Dhjetori, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombëtar, ndërsa Berisha organizon referendumin. Gazetari tha se pikërisht të shtunën e ardhshme do të duket forca që Basha ka për ta mbledhur ose jo Kuvendin. Por sipas tij, 18 Dhjetori është edhe një ditë e rrezikshme pasi të gjithë palët do të jenë në terren.
“Emergjente për Lulzim Bashën është data 18 Dhjetor kur ai duhet të vërtetojë nëse e ka mbështetjen. Por edhe dita më e rrezikshme, sepse mund të ketë anti-miting. Sepse të gjithë militantët janë në shesh. Në PD po ndodh një përplasje e dy trenave që janë në të njëjtën hekurudhë, por që i shkojnë përballë njëri-tjetrit. Unë pashë që po thonin se na u rrezikua jeta nga një bravë. Pikërisht partia që deri dje sulmonte institucionet me molotov e thotë këtë. Dhe i bënin thirrje policisë për ndihmë. Një ditë thonin pse na vjen policia pranë selisë, pastaj kërkonin t’i ndihmonte policia e Ramës?!
Ne mendonim që ky revolucion do të bëhej kundër Edi Ramës. Zoti Berisha e përqafoi zotin Basha kur u rizgjodh kryetar, dhe më pas krejt papritur kur erdhi shpallja non-grata ai iu kundërvu dhe e shpalli armik. Kush mund të besojë tek sinqeriteti i lëvizjes së Berishës tani?” – tha Carlo Bollino.