Ish-anëtar i gjykatës së Lartë i shkarkuar nga vetingu është zyrtarisht person nën hetim nga SPAK për akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë. Ndërkohë sot SPAK ka firmosur sekuestron për dy prona të tij.
Hetimet ndaj tij mësohet se po kryhen nga prokurorja e SPAK Doloreza Musabelliu e cila, pak ditë më parë i është drejtuar GJKKO-së për sekuekstrimin e të paktën dy pasurive të tij. Konkretisht, Gjykata ka firmosur të sekuestrojë një apartament në Komunën e Parisit dhe një garazhd, sepse sipas hetimeve ka rezultuar se ish anëtari i gjykatës së Lartë nuk justifikonte me burime të ligjshme.
Admir Thanza u rrëzua në vetting, pasi rezultoi se në formularin e dekriminalizimit ai kishte fshehur një dënim për vjedhje në Itali, rekord që u zbulua nga ONM dhe iu vu në dispozicion KPK.
Thanza ishte i pari gjyqtar që u largua nga radhët e sistemit të drejtësisë për shkak se kishte fshehur një rekord kriminal. Më pas ai pati një përballje me drejtësinë, pasi u cilësua fajtor për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, dhe u dënua me shërbim prove.
Kjo është përballja e tij e dytë me drejtësinë dhe këtë herë, po hetohet me akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.
