Gjatë operacionit “Laboratori”, që u realizua javën e kaluar në Tiranë, ku u sekuestrua 1.8 kg heroinë e rreth 200 gramë kokainë, që po shpërndahej te klientët fiks, Prokuroria zbuloi edhe disa emra përdoruesish. Ata u identifikuan përmes një liste, ku ishin shënuar emrat e personave që kishin marrë doza të ndryshme heroine dhe emri i tyre shënohej si borxhlinj. Aksioni “Laboratori” nisi duke ndjekur njërin nga shpërndarësit, Pieraldo Pelushi, i njohur si “Pipo”, të cilit iu gjetën me vete 31 doza heroine, raporton Panorama.
Shpërndarësi u ndoq nga agjentët e Antidrogës dhe më pas u pa teksa po furnizohej me drogë në një banesë të marrë me qira në afërsi të “21 Dhjetorit”.
Aty u gjetën 322 doza me heroinë dhe lista e emrave të përdoruesve borxhlinj.Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kishte marrë informacione në rrugë operative nga burime të ndryshme për shtetasin Florjan Nurja, i njohur me pseudonimin “Loli i Verës”, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohej se tregtonin lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kokainë për llogarinë e këtij të fundit në zonën e Tiranës.
HETIMI
Në materialin e referuar në Prokurori, Policia e Tiranës shpjegon se: Më datë 04.03.2019, rreth orës 12:10, në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, gjatë kontrollit të shtetasit Pieraldo Pelushi, i janë gjetur 31 qese plastike transparente, të mbyllura me djegie, brenda të cilave ndodhej një sasi materiale pluhur me ngjyrë kafe, i cili për nga karakteristikat fizike ngjason me atë të lëndës narkotike heroinë. Gjithashtu, në banesat e shtetasit Florjan Nurja është gjetur një sasi prej 322 qesesh plastike me heroinë, një sasi e konsiderueshme heroinë pluhur dhe në gjendje të ngurtë, tri peshore, një frulator me heroinë, një sasi kokainë etj., e cila ka ndodhur si më poshtë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, dyshonte se shtetasi Florjan Nurja, në bashkëpunim me persona të tjerë, tregtonin lëndë narkotike të llojit heroinë dhe kokainë, për llogari të këtij të fundit, në zonën e Tiranës.
Për këtë aktivitet kriminal, personi në fjalë kishte përshtatur një apartament për përpunimin, përzierjen, ambalazhimin dhe shitjen e lëndës narkotike heroinë dhe kokainë.Në bazë të këtyre informacioneve në fushën e narkotikëve, në drejtim të drogave të forta, heroinë dhe kokainë, kishte dyshime se shtetasi Florjan Nurja me pseudonimin “Loli i Verës” dhe Pieraldo Pelushi me pseudonimin “Pipo”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin në formë dozash dhe në sasi të konsiderueshme lëndë të dyshuar heroinë dhe kokainë, me klientelë fikse. Nga veprimtaria e tyre kriminale rezultonte se shitjen e lëndës narkotike e bënin me klientelë, aktivitet që ishte shtrirë në zonat e Rrugës së Kavajës, “Vasil Shanto”, Selitë, ish-Parku i Autobusëve, Kombinat, Yzberisht etj..1. FLORJAN NURJA 30 vjeç, me pseudonimin “Loli i Verës”
2. PIERALDO PELUSHI 27 vjeç, me pseudonimin “Pipo”
NE HETIM
1. B. N, 36 vjeçe
2. B.S., 43 vjeç
3. G.G., 47 vjeç,
U SEKUESTRUAN
1 kg e 864 gr heroinë,
202 gr kokainë
50 mijë lekë të rinj
peshore elektronike, frulator grirës, sitë e sende të tjera që shërbenin për përzierjen dhe ambalazhimin e lëndës narkotike.