Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar, tha se pas 18 dhjetorit Kuvendi zgjodhi të ardhmen, duke u ndarë nga çdo e keqe e së shkuarës.
Duke ia thënë hapur kryetarit Lulzim Basha se “nuk është për emërime”, ai kërkoi që të kthehet “gara dhe vota”.
Sipas tij, “Foltorja” (e ish-kryetarit Sali Berisha) nuk arriti qëllimin për të delegjitimuar institucionet të PD-së.
“Duhet të kthejmë garën dhe votën. Ky është Këshilli i parë pas Kuvendit të datës 18 dhjetor. U pa qartë që ‘foltorja’ nuk arriti qëllimin për të deligjitimuar asnjë institucion të PD-së. Po ashtu, herën e kaluar në këtë Këshill u votua me votim të hapur dhe nuk kishte asnjë kontestim për rrethanat e reja. Por këto rrethana, pritshmëria e demokratëve dhe e shqiptarëve tashmë nga ne është shumë më e madhe. Kështu, disa problematika të ngritura janë shqetësime për demokratët. Kjo mbledhje është e para pas Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit, që zgjodhi të ardhmen duke u ndarë nga çdo praktikë e keqe e së shkuarës.
Personalisht kam bërë dhe do bëj betejë për demokratët. Mendoj që gara është themeli se si mund të përmirësohet shtëpia jonë PD. Duke qenë se jam i zgjedhur anëtar Kryesie dhe nuk kam ambicie të tjera, propozoj të kemi votim të fshehtë dhe të propozoni alternativa të tjera për pozicionet”, ka thënë Salianji.
