Kjo natë e ndërrimit të viteve do të jetë ndryshe për 100 familjet e para të cilat rikthehen në banesat e tyre të reja lagjen “5 Majit”, të cilat muaj pas muaji do të pasohen prej 1000 familjesh të tjera që humbën strehën nga tërmeti. Kryeministri Edi Rama bashkë me Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj morën pjesë në shpërndarjen falas të apartamenteve, me kushte shumë herë më të mira se të vjetrat në një lagje tërësisht të transformuar që ofron të gjitha shërbimet. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se lagja e re “5 Maji ”është kartolina më e bukur për qytetarët e Tiranës dhe përgjigjja më e mirë për cinikët. “Dhurata më e shkëlqyer që na ka mbledhur sot në fakt, janë 100 apartamentet e reja që janë gati. Sot në fakt është shpagimi i një pune të jashtëzakonshme për gjithë cinikët, për gjithë skeptikët dhe për të gjithë dyshuesit, edhe ata që na penguan, është edhe hakmarrja më e ëmbël, në sensin e një gjëje të bukur e cila flet vet. E cila s’ka nevojë për sherr, s’ka nevojë për debat, s’ka nevojë për t’u kacafytur me njeri – tjetrin dhe për t’i provuar që projekti do të ndodhë dhe shtëpitë do të hapen dhe njerëzit do të lumturohen këtë fundvit, se kartolina më e bukur e këtij fundviti për qytetarët e Tiranës është lagjja e re “5 Maji” e cila është sot vetëm në fillimin e vet”, deklaroi Veliaj.
Teksa falenderoi banorët për bashkëpunimin, Kreu i Bashkisë iu drejtua me një mesazh edhe atyre që përdorin kauzën e tërmetit për përfitime politike. Veliaj apeloi që të besojnë tek ky projekt rindërtimi. “Tirana është gjithmonë e më e koklavitur, çdo metër katror i Tiranës është në gjykatë. Për çdo milimetër katror, për çdo rrëke uji ka një konflikt. Ndërsa në zona të tjera kishte fusha të lira, edhe këtu ku jemi ka pasur konflikte, ka pasur debate. Unë e kam sot dorën e hapur edhe pse 90% e qytetarëve, edhe ata që kanë qenë këtu më përpara tashmë kanë nënshkruar dhe i falënderoj me gjithë zemër se kjo është një marrëdhënie besimi mbi të gjitha, por edhe për atë 10%, edhe për atë 10% të fundit, edhe për ata që organizojnë protesta në emër të partisë, edhe për ata që vinë me deputetët këtu për të penguar kamionët dhe ekskavatorët, edhe ata që përditë, përditë e përditë e mallkojnë këtë projekt, ftesa ime është: Është më e rëndësishme brava e familjes suaj, sesa brava e partisë suaj? Është më e rëndësishme karrigia, tavolina, objektet, metrat katror të shtëpisë suaj, sesa metrat katror të selisë suaj. Është më i rëndësishëm çelësi që hap derën për familjen tënde, se çelësat e thyer të familjes politike. Ndaj nëse jeni njerëz të këtij qyteti dhe besoni që partia më e rëndësishme është familja juaj, jepini besim këtij projekti. Edhe ata 10% militantë që s’kanë firmosur akoma, niseni vitin mbarë, bashkojuni një përpjekje që nuk është për të përçarë, që nuk i ndan njerëzit në të majtë dhe në të djathtë, por një përpjekje që i bën njerëzit me shtëpi, pa dallim, pa teser partie dhe pa detyrime të tjera që në vende të tjera i kanë”, tha Veliaj.
