Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka deklaruar mbrëmjen e sotme se ai do të pranonte të kandidonte për kreun e PD-së vetëm nëse nuk do të kishte përballë ish-Kryeministrin Sali Berisha.
I ftuar në një lidhje live për Fax News, Edi Paloka u shpreh se nëse kandidon Berisha, atëherë ai do të mbeshtesë ish-Kryeministrin, pasi këtë gjë dëshirojnë të gjithë demokratët në këto momente.
“Të them të drejtën jam themelues i PD-së dhe kam 31 vite në atë parti, kam mendim shumë të mirë për veten, por nëse do të hyjë në garë Sali berisha, unë do të mbeshtës Berishën. Në një situatë tjetër do ta mendoja. Në këto kushte nuk do të përplasesha me Sali Berishën“, tha Paloka.
Edi Paloka nuk i kurse akuzat ndaj Lulzim Bashës. Paloka u shpreh se Basha i ka kthyer demokratët në qesharakë me veprimet e tij, duke shtuar se Basha sot këmbëngul për të mbajtur vulën vetëm për arsye personale ose sepse është kthyer në ‘kamikaz’ të Ramës.
Teksa e krahason Bashën me kryeministrin Edi Rama, Edi Paloka u shpreh se i ka kërkuar kryetarit të PD-së të dalë dhe të kërkojë votëbesimin e anëtarësisë dhe në këtë mënyrë do të shmangej përplasja e demokratëve.
