Qeveria ka ndryshuar një vendim të marsit të 2020-s, sipas të cilit përfitonin periodikisht shpërblim mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të sistemit shëndetësor, duke përforcuar kriteret për këtë shpërblim.
Ndërhyrja është bërë në vendimin numër 207 të 10 marsit të 2020-s, duke ndryshuar pikën katër të tij. Sipas këtij ndryshimi, lista emërore e mjekëve dhe infermierëve përfitues dhe dokumentacioni justifikues për shpërblimin miratohet po me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, por shtohet pjesa e vlerësimit nga një sekretariat që deri më tani nuk përfshihej në këtë VKM.
“Lista emërore e përfituesve dhe dokumentacioni justifikues, përfshirë ditët e angazhimit me qëllim përfitimin e shpërblimit, miratohet periodikisht me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në analizën e shkallës së ngarkesës së veprimtarisë dhe të riskut, që mbart aktiviteti i strukturës shëndetësore, e cila vlerësohet nga sekretariati i ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, thuhet në vendim.
