Unioni i Gazetarëve Shqiptarë njoftoi sot se reporter dhe operatori tropojanë Ilir Buçpapaj ka ndërruar jetë.
Pasi vlerëson punën dhe kontributin e tij për shumë dekada, unioni ngushëllon familjen Buçpapa dhe të afërmit për këtë humbje të madhe.
Postimi i UGSH-së:
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan dhimbjen e përbashkët për humbjen sot, të kolegut të mirë, reporterit dhe operatorit të njohur të Tropojës, Ilir Buçpapa. Prej disa vitesh kolegu ynë banonte në Amerikë, duke qenë fizikisht larg Atdheut, por Tropoja, miqtë e tij të shumtë, kolegët e vjetër dhe të rinj, do ta kujtojnë me nderim për kontributin dhe punën e palodhur, për mirësinë njerëzore, dashurinë dhe paepjen për të raportuar ndër vite për rajonet e veriut të vendit dhe për hapësirën shqiptare. Iliri ndau një përvojë raportuese të gjatë në vite, për disa media, mes të cilave edhe për median audiovizive publike të Shqipërisë.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i shpreh familjes Buçpapaj ngushëllime për humbjen e pazëvendësueshme!
I paharruar do të mbetesh kolegu dhe miku ynë Ilir! U prehsh në paqe!