Roberto Mancini rikthehet të flasë në konferencë për shtyp. Trajneri i kombëtares italiane iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke prezantuar zborin në Coverciano që do të zhvillohet deri të premten, në funksion të “play-off-it” për hyrjen në Botërorin e Katarit:
“Janë dy seanca stërvitore, sot dhe nesër, më pas ndeshja të premten në mëngjes. Do të provojmë disa situata të ndryshme taktike. Janë dy ditë, jo shumë. Do t’i provojmë gjërat pak më ndryshe, ndoshta është gjithashtu e drejtë të vlerësojmë ata që nuk janë thirrur për një kohë të gjatë, si Balotelli apo të tjerë. Ky stazh mund të jetë një gjë e mirë”.
Ndër temat më të nxehta është padyshim rikthimi i Mario Balotellit si axurr, pas gati tri vitesh e gjysmë: “Është një zgjedhje e drejtë duke pasur parasysh muajt e fundit. Duhet të vlerësojmë shumë situata dhe ajo e Marios është njëra prej tyre. Dera e kombëtares është gjithmonë e hapur për të gjithë. Nëse ka lojtarë që mund të na ndihmojnë, jemi shumë të lumtur.
Në nivelin teknik, Mario ka qenë gjithmonë i mirë, duhet të shohim se si është fizikisht. Për të parë se si po kalon një lojtar, mund të na ndihmojnë tri seanca stërvitore. Balotelli nuk më ka premtuar absolutisht asgjë. Ai është thirrur, si të tjerët. Jemi kuriozë ta shohim përsëri pas disa kohësh.
Ai duhet të vlerësohet në stërvitje dhe duket luajtur. Nuk duhet të më premtojë asgjë, pasi nuk kam pse t’i premtoj asgjë. Mendoj se është i lumtur që ndodhet këtu dhe do ta vlerësoj, kjo është e gjitha. Vetëm kështu mund ta shoh atë dhe të tjerët”.
