Policia ka vënë në pranga tre persona në dy operacione policore antidrogë të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Lezhë, Komisariati i Policisë Mirditë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër.
Blutë bëjnë me dije se “mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative organizuan brenda 12 ,orëve, në kushte të vështira të motit , 2 operacioni policore, në kuadër të të cilëve, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike”.
Në operacionin policor të koduar “Munella”, në fshatin Domgjon, Fanë, Mirditë, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruara në banesat e shtetasve V.Ll. dhe P.N., kanë sekuestruar 31 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Për këtë sasi kanabisi policia arrestoi shtetasit: V.Ll., 49 vjeç, lindur në Domgjon, Mirditë, banues në Zejmen, Lezhë dhe P.N. 43 vjeç, lindur në fshatin Xhuxhë, Mirditë, banues në Tale, Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kaçinari ” , në fshatin Arrëz, Kaçinar , shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit B.Ç. dhe kanë sekuestruar 18 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: B.Ç.,36 vjeç, banues në fshatin Arrëz,Mirditë, për vepren penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve “, si dhe proceduan penalisht në gjëndje të lirë për shkak të problemeve shëndetësore, babain e tij shtetasin P.Ç.
