Shtetasi E. Selita tentoi të vriste një nga pronarët e hotelit, shtetasin Zeni Xhindi, pasi shtetasi Ervin Selita fillimisht u konfliktua me recepsionistin e hotelit se nuk e la të hynte në hotel me vajzën që e shoqëronte pa i dhënë kartën e identitetit.
Konflikti vijoi më pas me një nga pronarët e hotelit.
Policia ka shpallur në kërkim gjithashtu shtetasit Xhuliano Selita dhe Erjon Mici, shokët e shtetasit Ervin Selita që i erdhën në ndihmë gjatë konfliktit dhe më pas fshehën armën me të cilën ky qëlloi për të vrarë pronarin e hotelit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit për një konflikt me armë në ambientet e një hoteli, në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi”, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Parandalimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. S., 30 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”;
E. D., 30 vjeçe, e cila shoqëronte shtetasin E. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve: E. M., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe Xh. S., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Shtetasi E. S., gjatë konfliktit në ambientet e hotelit, ka tentuar të vrasë me armë zjarri njërin nga pronarët e hotelit, shtetasin Z. Xh”, thuhet në njoftimin e policisë.
