Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pretendon se transparenca mbi emrin e sponsorit privat që financoi një aktivitet të zhvilluar në resortin luksoz “Marina Bay” në Vlorë në fund të shtatorit të vitit të kaluar do të cenonte “sigurinë kombëtare”, sipas një kërkesë padie që KPK ka bërë ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Në kundërshtim të vendimit të Komisionerit për ta bërë publik emrin, KPK ka listuar gjithashtu si argumente cenimin e procesit të vetingut të magjistratëve, të marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe të imazhit të vetë KPK-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fund të shtatorit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pranoi donacione nga një sipërmarrje private për të zhvilluar një aktivitet të titulluar “Raport dhe Strategji” në resortin luksoz “Marina Bay” në qytetin e Vlorës.
Aktiviteti u zhvillua më 30 shtator, por dymbëdhjetë komisionerët e KPK-së dhe tre pjestarë të stafit administrativ u akomoduan në hotel për dy net fjetje dhe u kthyen në Tiranë më 1 tetor.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe tre vëzhgues të ONM-së, por ndryshe nga Komisionerët ata nuk u akomoduan në resortin luksoz.
Prej tetorit 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka refuzuar kërkesat për të drejtë informimi të BIRN për vënien në dispozicion të emrit të kompanisë private dhe aksionerëve të saj që financuan aktivitetin.
KPK refuzoi gjithashtu të zbatonte një vendim të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili e urdhëroi KPK-në që të vendoste në dispozicion të BIRN një kopje të plotë të marrëveshjes me kompaninë private që financoi aktivitetin.
Më 24 janar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e ankimoi në Gjykatën Administrative të Tiranës vendimin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, KDI, duke këmbëngulur që ta mbajë sekret emrin e sponsorit privat.
Në kërkesë -padi nuk paraqiten argumente se pse bërja publike e subjektit që mbuloi shpenzimet e të gjithë aktivitetit do të sillte pasoja – por Komisioni rendit një sërë pretendimesh si justifikime lidhur me statusin e veçantë që gëzojnë komisionerët dhe përmbatjen e diskutimeve të tyre në mbledhje, për të cilat nuk është kërkuar informacion.