Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

Atentati ndaj Ramiz Alisë dhe rrjeti i agjentëve jugosllavë në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit në vitet 1989-1992

18:19 / February 8, 202215 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
ramiz alia 1
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Faqe nga historia e Sigurimit të Shtetit në vitet 1989-1992, rrëfyer nga Bujar Sh. Hoxha një nga krerët e këtij shërbimi në Kukës, Vlorë dhe Tiranë. Atentati i dështuar kundër Ramiz Alisë gjatë vizitës në Kukës dhe rrjeti i agjentëve jugosllavë që vepronin intensivisht në Shqipëri. Cilët ishin dy prej tyre, njëri që punonte në Komitetin Qendror me pseudonimin “Profesori” dhe tjetri në sistemin e drejtësisë me pseudonimin “Ereniku”.

Bota e shërbimeve sekrete ka shumë për të thënë në lëvizjen e individëve dhe shtetit e të shoqërisë shqiptare. Vite me radhë është shkruar shumë pak për natyrën e shërbimeve sekrete, rolin e operacioneve sekrete që ndikuan në klimën historike dhe shumë sekrete do të mbeten të panjohura për opinonin publik, për faktin se ato flenë sipas rregullave të ashpra të arkivave. Në duart e publikut dhe opinionit publik shqiptar është tashmë libri me titull “PLURALIZMI DHE SIGURIMI I SHTETIT SHQIPTAR” me autor zotin BUJAR. SH. HOXHA. Një libër që të befason me misteret dhe të panjohurat e spiunazhit shqiptar dhe rolin e tij në kthesat e historisë në fundvitet 1989-1992.

Në parathënien e tij z. Bujar Hoxha shkruan edhe faktorët që e nxitën për të lënë këto dëshmi, – edhe unë isha peng i kujtimeve të mia për historinë e punës në institucionin më të përfolur, siç ishte SIGURIMI I SHTETIT. Armiqtë e SSH-it, pas viteve 90-të, do të deklaronin se ishte frika nga dosjet ajo që i kishte kërcënuar kundërshtarët politikë dhe kritikët. Nuk ishte asgjë, veçse një tymnajë. Nëse frika nga SSH-it u ishte një nga arësyet për fuqinë e tij, një arsye tjetër ishte simpatia që ai ka gëzuar në pjesën më të madhe të popullit si ruajtës i vijës së parë të atdheut dhe popullit. Muri i heshtjes nuk i ndihmon ndriçimit të çështjes. Ka gjithnjë rrugë për të kapërcyer barrierën konspirative, duke kaluar nën të apo mbi të. Këto shënime nuk gjykojnë analizën 50-vjeçare të SSH-it. Fuksioni im, për periudhën që do të flitet, nuk ka qenë në majë të kupolës sekrete, megjithatë për vitet 89-92, kam mbuluar një detyrë të rëndësishme në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë në sektorin e SSH-it, më pas SHIK-ut për kryeqytetin, duke qenë pjesë drejtuese e kanalizimit operativ dhe informativ të këtij shërbimi. Në këtë luftë me dhe pa rregulla, SSH-it do të mbetej në vijën e parë për të penguar skenarë kompleksë dhe të mbushura me intriga nga fqinjët tanë tradicionalë grekë dhe jugosllavë. Prania e fuqishme e SSH-it kundër armiqve shekullorë, s’do të ndalej as në ngjarjet që pasuan proceset demokratike.


Libri i Bujar Sh. Hoxhës i shkruar me prova të freskëta dhe fakte të qarta dhe dëshmi të besueshme, të cilat paraqiten me stilin e shkrimit agjenturor dhe operativ, është i ndarë në tre pjesë. Pjesa e parë: “Ballë për ballë zbulimit jugosllav”, pjesa e dytë: “Në gjurmët e “Kalit të Trojës””, pjesa e tretë: “Pluralizmi dhe Sigurimi i Shtetit”. Përzgjedhja e kapitujve nga kushdo do të ishte një punë sfilitëse dhe thuajse e paimagjinueshme, sepse është ideja e autorit, i cili i ka renditur ngjarjet me një domethënie të caktuar për të na qartësuar pamjen e panoramës së luftës së “nervave” mes spiunazhit dhe kundërspiunazhit ku punonin shumë specialistë të talentuar, të cilët njihnin mirë historinë e spiunazhit, në mënyrë të veçantë të atij grek e jugosllav.

Në njërin nga kapitujt “GJUETIA E SPIUNËVE” përshkruhet me përpikmëri atentanti kundër ish presidentit Ramiz Alia nga zbulimi jugosllav. Një fis i tërë i vënë në shërbim të zbulimit jugosllav. Ja si e përshkruan Bujar Hoxha këtë ngjarje:

“Në verën e vitit 1983 ishte planifikuar ardhja në Kukës e Ramiz Alisë, i cili kishte marrë në dorë frenat e drejtimit të vendit. Puna e parë ishte shkundja e dosjeve për të vlerësuar fijet logjike që të çonin në parandalimin e ngjarjeve të rënda. Zbulimi jugosllav mbetej shumë agresiv dhe thellësisht antishqiptar. Në darkën e shtruar në hotel turizmin e qytetit, në mënyrë të çudithme do fikeshin dritat… Paradite erdhi një denoncim i frikshëm, se në depozitat e fabrikës ku prodhohej buka për banorët e qytetit, ishte dyshuar se një person kishte tentuar të hidhte diçka, por nga frika e pikasjes, u largua pa u indentifikuar. Përderisa çështja po bëhej serioze, kërkoheshin masa strikte duke fokusuar kontrollin e afërt të një pjese të fisit Dauti, që në arkivat e SSH-it regjistronin ngarkesa të forta për shërbime e favore ndaj zbulimit jugosllav. Në përbërje të tyre, veç masave legale, do të futej dhe një agjent i kundërzbulimit, lidhje e afërta fisnore dhe tepër i vëmendshëm. Turma po pozicionohej para tribunës dhe në rreshtin e dytë do qëndronin të bashkuar Man Dauti, Ukë Dauti dhe të tjerë persona të familjes. Mani kishte planifikuar vendosjen në rreshtin e dytë të turmës, bombën e mbante në xhep për t’ia dhënë Ukë Dautit.

Pasi të hidhnin bombën, autori mund të humbiste në turmë dhe të fshihej në rrëmujën që do të krijohej. Rreth njëzet minuta para ardhjes së Ramiz Alisë ndodhi një rrëmujë e vogël nga një person i pirë, policia ndërhyri duke shoqëruar pijanecin e identifikuar si Z. Meshi, banor i qytetit. Ndërkohë Man Dauti duke menduar se ishte dekonspiruar, nxori bombën e tentoi ta fuste në xhepin e agjentit që e kontrollonte “Gjeologu” i cili e refuzoi dhe informoi menjëherë një specialist të njohur. Mani e dorëzoi tek Ukë Dauti, i cili i zënë në befasi, bashkë me vëllain e tij u arrestuan në flagrancë. Gjatë hetimit paraprak vëllezërit Dauti në dhoma e izolimi të ndryshme nisën komunikimin me copa letre duke porositur njëri- tjetrin të mos flisnin që bombën e kishin për Ramiz Alinë dhe takimet e tyre me diversantin Avdyl Alija. Vëllezërit pranuan bashkëpunimin si agjent të shërbimit jugosllav dhe betimin që kishin bërë para Avdul Alisë tek “Kumbulla e kuqe” për atentatin ndaj Ramiz Alisë. Nipi i Manit do të tregonte “paudhësitë” e grupit. Më pas do të dilte në skenë plani agjenturor dhe terrorist i rezidenturës “Bomba”. Nëse nuk do të ishte parandaluar, grupi “cubat e Hasit” do të kishte qenë si një fitil shpërthyes për ngjarje më të frikshme. Një kuriozitet, nëntëdhjetë e nëntë dyqane kishte zona e Hasit, të gjitha të grabitura më shumë se një herë. Do të zbuloheshin djegiet e stallave me bagëtitë brenda, hapja e dyerve të rezervuarëve, që përdoreshin për vaditje në “Hasin e Thatë”. Në këto implikime do regjistroheshin persona nga zona e Tropojës, ku SSH-it do niste procesin lidhës “Merimanga”.


Në nëntitujt e tjerë, siç shkruan zoti Bujar Hoxha tek SKEDA AGJENTURORE, bëhet fjalë për një listë “urithësh” pseudonimesh të agjentëve jugosllavë. Kjo listë “e vjedhur” nga zbulimi shqiptar në bërthamën arkivore të zbulimit jugosllav parashkruante në mënyrë të detajuar cilësitë karakteristike të agjentit të maskuar, një lloj biografie e padeshifrueshme. Kështu do të identifikohej “Udhëtari”, “Ereniku”, “Daliu”, “Malësori” e “Zhuri”. U zbulua një agjent në Brigadën Ushtarake të Krumës i cili më pas për të larë tradhtinë e tij bashkëpunoi me kundërzbulimin shqiptar e u bë një agjent produktiv. Një spiun tjetër ishte një oficer i zbulimit ushtarak, mbante pseudonimin “Vrojtuesi”, dhe me informatat e tij e kish dëmtuar shumë shtetin shqiptar. Spiuni Ukë Mazreku i cili ishte bërë tmerr në zonën e Hasit, duke i terrorrizuar banorët me lëndë shpërthyese në derën e shtëpisë, kishte filluar të fliste e dha shumë emra e lidhje, implikime për spiunazh kolegjial të grupit dhe për disa figura të rëndësishme, që i shtrinin lidhjet e tyre në Has, Kukës, Krumë, Tropojë e Tiranë. Dy prej tyre, nga të cilët njëri punonte në Komitetin Qendror me pseudonimin “Profesori” dhe tjetri në sistemin e drejtësisë me pseudonimin “Ereniku”.

Një tjetër nëntiull interesant është edhe “Korridori Kosovar”. Në vitin 1982, mora edhe një detyrë plotësuese, që mbetej pjesë e rëndësishme e kundërspiunazhit. M’u ngarkua administrimi i “korridorit kosovar”, – shkruan Bujar.Sh. Hoxha. Në atë periudhë kosovarët që vinin ilegalisht mbaheshin në një “karantinë operative” dhe u nënshtroheshin procedurave të verifikimit. Për ne ishte e qartë se emigrantët kosovarë që vinin nga Jugosllvia ishin burim shumë i çmuar informacioni për SSH-it. Njëkohësisht, ishte paralajmërim se shërbimi sekret jugosllav do të përpiqej të shfrytëzonte kanalin e emigracionit kosovar për të futur në Shqipëri agjenturën e tyre. Shumë prej tyre, për t’i shpëtuar represionit serb kaloheshin ilegalisht në vendet perëndimore, shumë të tjerë nëpërmjet kanaleve të sigurta ktheheshin ilegalisht në Kosovë. Kishte prej tyre që demaskoheshin si “urithë” dhe në mënyrë publike ekspozoheshin para kosovarëve të tjerë duke i adresuar motivin për t’i nisur në Kosovë. Duhet thënë se përqindja më e madhe e të ardhurve ilegalisht ktheheshin duke i bindur për planin shkombëtarizues serb “Patkoi”.


Pjesa e dytë e librit mban titullin “NË GJURMËT E KALIT TË TROJËS”. Bujar Hoxha tashmë i vlerësuar maksimalisht nga eprorët për punën në Kukës, transferohet në qytetin bregdetar të Vlorës si zëvndëskryetar i Degës së Brendshme. Informacioni që vinte nga Vlora ishte shumë i varfër për spiunazhin grek, puna agjenturore pothuaj kishte ngecur. Kërkohet të ngrihet temperatura informative, më porositën në emërimin e detyrës së re. Agjenti “Zeusi” kish raportuar për spiunë grek në zonën e Himarës, duke veçuar njërin prej tyre i cili kishte vrarë agjentin e kundërzbulimit shqiptar me pseudonimin “Arbëri”. Në rrjetën e “Zeusit”, i cili ishte një patriot i ndershëm dhe fisnik dhe zotëronte gjuhën greke, ranë shumë spiunë e bashkëpunëtorë të zbulimit grek. Mbi 40 informacione kundër rezindenturës greke. Lavdinë e vërtetë, “Zeusi” do e arrinte në kontaktet e tij në zemër të zbulimit grek. Ai e furnizoi kundërspiunazhin shqiptar me një sasi të tillë dokumentesh të cilat në arkivat e SSH-it numëronin me mijëra faqe. Vlerë të veçantë patën sidomos materialet e servirura nga shërbimi i fshehtë grek mbi strategjinë e shtetit grek ndaj Shqipërisë.

Në kapitullin “ZEUSI NGJITET NË OLIMP”, ngjarjet që pasojnë tregojnë se si e tërhoqi për hunde SSH-it shërbimin sekret grek. Zbulimi grek kishte në veprim agjentë të rëndësishëm në gjithë vijën bregdetare Sarandë-Vlorë, ai e kish shpërndarë rrjetin e spiunazhit në qytetet Sarandë, Vlorë, Fier e deri në Tiranë dhe kish në dispozicion agjenturën e ngritur në sektorë të rëndësishëm në disa ministri dhe në nivele të tjera, madje kishte arritur në disa rrethe intelektualësh në fushën administrative dhe universitare. Në raportet e “Zeusit” theksohej konkluzioni sipas të cilit ishte e nevojshme që t’i bëhej një hetim grupit agjenturor në Tiranë për të zbuluar shtrirjen e depërtimit të tyre në institucionet shqiptare.

Pjesa e tretë titullohet PLURALIZMI DHE SIGURIMI I SHTETIT.

Kjo pjesë meriton një vëmendje të veçantë, sepse është një libër më vete, por padyshim që ka lidhje me dy pjesët e tjera. Tashmë autori i librit, zoti Bujar. Sh. Hoxha është emëruar në detyrën e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë P. Brendshme Tiranë.

Ja se si e përshkruan ai periudhën e viteve 1985 – ‘90.

Në të vërtetë, gjërat kishin filluar të ndryshonin pas vitit 1985 dhe në mënyrë të veçantë pas vitit 1989, kur entuziazmi tërheqës i njerëzve ishte ligështuar dhe shkurajuar nga një regjim qartësisht i ashpër. Në të vërtetë SSH-it, me shumë mundim gjatë viteve, veçanërisht viteve të ndryshimeve esenciale i ishin afruar shumë zbulimit të planeve që Perëndimi kishte ndaj Shqipërisë. Asnjeri nuk mund të thotë të kundërtën, por politika nuk mori nismat e nevojshme. Parashikimi i ndryshimeve politike, ka qenë një nga objektivat e SSH-it, veçanërisht pas rënies së “Murit të Berlinit” duke siguruar raporte agjenturore për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, mirëpo udhëheqja komuniste nisi të besonte idenë se shteti i kishte dhënë besimin e tij një shërbimi që po i shmangej detyrës duke neglizhuar ndjekjen e veprimeve antishtetërore nga individë që mbaheshin të dyshuar si spiunë të shërbimeve të huaja apo element antiparti që po organizoheshin në vrullin demokratik. Ka një galeri të gjallë emrash dhe operacionesh sekrete të kryera nga SSH-it. Për t’u përmendur, rasti më i qartë ishte me zbulimin që në nisje dhe asgjësimin e bandës së Xhevdet Mustafës. Monitorimi i vëllezërve Popa në Ambasadën Italiane, ndjekja e një rezidenture aktive, me shtrirje në disa qytete të vendit. Elementë të ndryshëm zhvillonin në mënyrë harmonike veprimtari agjenturore në favor të zbulimeve të huaja të kordinuar me pikësynime graduale për përmbysjen e sistemit komunist.

Këto fakte nuk u mësuan në kohë. SSH-it që rrinte me veshët ngritur zbuloi, se tradhtohej nga dikush që mbulonte një detyrë. Ai rregullisht sinjalizonte kundërshtarët tanë spiunë. Më pas kanali i tradhëtisë u dekonspirua dhe tradhtari që mbulonte detyrën e shefit të arkivës operative në kundërzbulim B.J. do të gjykohej me dënim kapital. Ambasada Italiane në Tiranë u bë arenë dhe provë e një ndeshjeje interesante operative mes zbulimit italian dhe kundërzbulimit shqiptar. Rrethanat e krijuara diktuan një manovër operative delikate, por të domosdoshme, realizimi i së cilës do të reflektonte kulmin e përsosmërisë. Bashkëpunëtori i profilizuar dhe i instruktuar sqaroi se në zyrën e ambasadorit italian tapeti pastrohej shpesh dhe kontrolli i përditshëm prej tyre në momente të shkurtra krijonte shkujdesje indiferente, që mund të shërbente si kohë e mjaftueshme për vendosjen e mjeteve të përgjimit. Italianëve, madje nuk u shkonte mendja, se në stolat e lulishtes së oborrit të ambasadës ku familja Popa nën mbikqyrjen e tyre kalonin kohën jashtë, vazot e luleve ndërroheshin herë pas here, u ishin vënë aparate përgjimi. Dosja titullohej “Kaos”. Në nxitjen për hapjen e këtij fashikulli shërbyen informacionet e rrjedhshme të kundërzbulimit. Me qindra fletë dokumentesh që kishin lidhje me lëvizjet demokratike administroheshin në këtë fashikull.

SSH-it niste buletinet me mendime orientuese për udhëheqjen e lartë komuniste se po farkëtoheshin aleancat e fshehta duke e cituar si stil të ri konspirativ dhe se niveli i konpiracionit antikomunist do të forconte boshtin e protestave popullore. Prapa tyre do të qëndronin individë të regjistruar nga SSH-it, do t’i bashkëngjiteshin edhe fuksionarë të shtetit, të diferencuar me material apo fije të dyshimta agjenturore. Kaos-i nuk ishte një aspekt i vogël i operacioneve, që shërbimet e huaja kishin ndërmend të lëshonin kundër Shqipërisë. Objektivi ishte të nxitej një revolucion, ndaj kishte nisur depërtimi i spiunëve që do të vendosnin kontakte me grupet e ndryshme politike që rrinin në pritje. Këtu do të zinte vend edhe historia e agjentit të fshehtë të SSH-it, “Boletini”, emigrant kosovar që me inteligjencë u fut në një kanal të fshehtë të zbulimit jugosllav duke përpunuar një ish fuksionar të lartë, i cili do të arrestohej dhe dënohej. Takimi me elitën e SSH-it i ish presidentit Ramiz Alia kish mbaruar vetëm me hedhjen e dorashkës nga ana e tij duke urdhëruar: ”Më sillni planin e Perëndimit”. Në këtë kapitull, “MYSAFIRI NGA PËRTEJ OQEANIT” është një operacion për planin e Perëndimit, siç shkruan autori B.SH.Hoxha. Kundërzbulimi i Tiranës kishte futur në rrjetin e tij një agjent të kualifikuar me pseudonimin “Dajti”, që cilësohej me produktivitet informativ. Kishte një vëlla të arratisur prej dekadash nga Shqipëria dhe mbante komunikim të rregullt. Pas “dy korrikut” shtroi problemin, nëse i vëllai që banonte në Amerikë mund të vinte si vizitor. Menjëherë u miratua dhe vëllai i tij mbërriti në Tiranë. Pas dy javësh qëndrimi me familjarët, me mirëkuptim u vendos të niste procedura e bashkëbisedimit. Takimi u zhvillua në Hotel Tirana. Më pas do të shpjegonte planin strategjik të SHBA-së në Ballkan. Sipas tij, në kancelaritë e CIA-s ekzistonte një studim analitik që shtjellonte ekzistencën e një dokumenti që Shqipria mbetej aleati më i besuar në Ballkan. Mysafiri nga Amerika pohoi se thelbi i materialit nxirrte në pah qëllimin gjeostrategjik të SHBA-së për çimentimin e trekëndëshit Riad-Ankara-Tiranë, korridor i sigurtë për të vënë nën kontroll Evropën dhe më gjerë ku “Shqipëria do të jetë Izraeli i dytë”. Para se të përfundonte MD, me dashamirësi më këshilloi të rrisnim kujdesin ndaj proceseve demokratike, kryesisht ndaj frymës radikale, që po dukej në sipërfaqe. Fjala përmbyllëse do të ishte paralajmëruese: “Fitorja opozitare do të sjellë shkatërrimin e Shqipërisë”.

Operacioni “Depërtimi”, nënkapitull i cili do të mbahet mend gjatë në memorjen e lexuesit. Nën petkun e atesheut kulturor francez, u angazhua në qendrën universitare një agjent me emrin e koduar “Luku”. Luku zuri shumë miq në Tiranë. Edhe pse fshehtësia në punën e tij ishte në lartësinë e duhur, mbi kryet e Lukut filluan të dendësohen re të zeza. Ndaj tij u vendos një survejim i kujdesshëm i alternuar. Për Lukun filluan të vërshonin informacione nga “Pena e Artë”, “Artisti”. Dashnorja e kolonelit francez që fshihej pas mantelit të sekretarit të ambasadës filloi të zbërthehej. Kjo situatë ndihmoi në vjedhjen e një dokumenti tepër të vlefshëm në kasafortën e ambasadorit francez. Fshehtësia nuk prekte kodin diplomatik të nderit. Ne me shumë pak mjete e forca duhet të përballoninm edhe agjenturën ruse në Tiranë e cila ishte pjesë e Ambasadave Çeke e Polake. “OMONIA” NË PARLAMENT””. Këto histori me një gjendje tensioni mes shërbimeve sekrete në Shqipëri, duan një penë si të Bujar.Sh.Hoxhës, sepse në çdo operacion nis nga vlerësimi i detajeve nga më të rëndomtat, siç ndodh me skuadrën e vëzhgimit e cila dikton takimin e një gruaje të profesorit me konsullin e Ambasadës Greke. Petku i tij i vërtetë ishte misioni i zbuluesit të shërbimit grek. Ky shërbeu si rast për të përcaktuar aktivitetin e vërtetuar të grupit agjenturor grek, që do të zbërthehej më pas në zyrat e kundërzbulimit shqiptar. Gjatë hetimit operativ dolën shumë emra, rreth njëzet të dyshuar, më së shumti me kombësi greke, midis të cilëve numëroheshin pedagogë universiteti, ushtarakë, inxhinierë. Kështu filloi zbërthimi i karrierës së spiunëve grekë të cilët ishin përgatitur për të hyrë në politikën shqiptare me emërtimin “Omonia”. Nga mesi i ndjekjes së këtij proçesi, kundërzbulimi do të identifikonte me dhjetëra persona aktivë në shërbim të spiunazhit grek. Gati dyfishin e këtij numri, do të regjistronte ndaj zbulimit jugosllav me komunitetin vrakaçiot në Shkodër dhe maqedonas në Pogradec e Korçë.

Përgatiti për botim Kastriot Kotoni-Dita

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

“U trondita kur i pashë në faqe +18!”/ Zbardhet dëshmia e Adrian Hilës: Kamerat i vendosa për… Ka qenë me dëshirën e palëve

23:02 / October 1, 2026

Kompozitori Adrian Hila në Policinë e Tiranës, po merret në pyetje nga Krimet Kibernetike

22:20 / October 1, 2026

Rama publikon foton me presidentin amerikan Donald Trump dhe ironizon: Ndoshta s’del që është AI

21:37 / October 1, 2026

Tragjedi, 8 studentë mbyten në det gjatë një ekskursioni

21:16 / October 1, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.