Për avokatin e Saimir Tahirit, Maks Haxhinë, ka dyshime se vendimi i Apelit të GJKKO, që dënoi atë me 3 vite e 4 muaj burg, ishte i marrë që para se të shpallej nga trupa gjykuese. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ të gazetarëve Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj, Haxhia tha se ky dyshim lind nga fakti se ekzekutimi i vendimit u bë direkt pas shpalljes së tij nga trupa gjykuese dhe se çdo gjë ishte organizuar më parë.
“Gjykata e Apelit, me gjyqtarë të rreteheve, vendosi njësoj si shkalla e parë, por çuditërisht ka dalë jashtë logjikës juridike dhe hoqi pezullimin, duke thënë që duhet të shkojë në burg. E çuditshme ishte që në kundërshtim ne praktikën, sa jepet vendimi i Apelit, sa zbardhet, për Tahirin çdo gjë ishte e organizuar më parë dhe u bë ekzekutimi i menjëhershëm. Unë duke ditur në detaje dosjen, isha i bindur se do jepej pafajësia. Gjykata nuk tha konkretisht çfarë shkelje bëri gjatë ushtrimit të detyrës dhe cila është pasoja. Nuk ka shpërdorim sepse ministri është funksion politik”, tha ai.
Avokati Haxhia thekson se trupa gjykuese që dënoi Tahirin ka qenë e ndikuar dhe nën presion për ta dënuar atë me burg. Ai nuk dha emra, por shprehu me bindje se ka qenë një grup apo një individ që ka ndikuar për të dënuar me burg Tahirin, me qëllim njollosjen e figurës së tij.
