Pavarësisht rezistencës së banorëve prej ditësh, fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) kanë nisur shembjen e banesave në njësinë numër 4, për t’i hapur rrugë projektit të rindërtimit në zonën e 5 majit.
Në ndihmë të IMT-së në zonë, kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe pritet të shemben rreth 11 shtëpi. Ndërsa policia ka shoqëruar një banor.
Rezistencës së tyre u janë bashkuar edhe banorët e njësisë numër 8, shtëpitë e të cilëve preken nga i njëjti projekt.
Në zgjidhjen që ka ofruar bashkia, banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor.
