Partia Demokratike do të ketë një mbledhje të grupit parlamentar, pak para nisjes së seancës parlamentare në Kuvend ku pritet të votohet zgjatja e afatit të organeve të vetting-ut.
Në mbledhje pritet që deputetët demokratë të njihen me qëndrimin që PD do të mbajë në lidhje me propozimin e maxhorancës për të zgjatur këtë afat deri në vitin 2024.
Negociatat para votimit në Kuvend të propozimit të maxhorancës kanë futur në lojë edhe ndërkombëtarët. Sipas burimeve përgjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë të ambasadave të vendeve të perëndimit në Tiranë kanë shkuar në selinë blu për të arritur një unanimitet mes palëve sa i takon këtij procesi.
Si përgjigje ata kanë hasur një kundërshtim në lidhje me këtë çështje pasi demokratët distancohen nga ky votim, duke qenë se propozimi ka ardhur nga socialistët dhe mund të perceptohet në publik si një ujdi e mundshme mes palëve.
