Pas takimit mes Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kryeministri Edi Rama tha për ‘Zërin e Amerikës” se u diskutua për shumë tematika dhe në lidhje me ecurinë e reformave në vend.
“Diskutuam lidhur me bashkëpunimin ne Këshillin e Sigurimit, lidhur me rajonin me ecurinë e Reformave në Shqipëri dhe në tërësi prekëm të gjitha temat që janë të rëndësishme për këtë marrëdhënie, përfshirë edhe temat që jemi bashkë në aleancën e NATO-s”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare komentoi dhe rolin që do luajë Shqipëria në Këshillin e Sigurimit.
“Është një proces kur dy vende bëhen bashkë për të adresuar një apo disa dosje të caktuara dhe SHBA na propozoi ne këtë bashkëpunim. E pranuam me shumë kënaqësi dhe kjo na jep mundësi që në Këshillin e Sigurimit të luajmë një rol të veçantë.
Për Ukrainën nuk është një çështje e Shqipërisë, por e gjithë botës, e OKB-së… Ne në këtë proces do të jemi krah SHBA-së dhe vendimmarrja do të jetë e SHBA-së. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë masat për shqiptarët në Ukrainë. Kemi disa qytetarë shqiptare që janë pjesë e misionit të OSBE-së dhe vazhdojnë të jenë atje”, nënvizoi Rama.
