Deputeti i PD-së, Tritan Shehu me anë të një postimi shkruan se Italia ka rrëzuar vendosjen e çështjes së kanabisit në referendum.
Shehu shton se ndërsa shteti italian merr këtë vendim, Edi Rama në Shqipëri kërkon ta legalizojë hashashin dhe veprimtarinë kriminale të trafikantëve të lëndëve narkotike.
“Gjykata Kushtetuese e Italisë rrëzon vendosjen e çështjes së kanabisit në referendum!
Ndërsa Rama kërkon nëpërmjet një ‘Këshillimi të hapë rrugën e ‘legalizimit’ të kanabisit, që do të thotë të grupeve kriminale të kultivimit e trafiqeve.
Gjykata Kushtetuese e Italisë e quajti sot kanabisin një ‘droge’ dhe si të tillë e konsideroi të papajtueshme futjen e kësaj teme në referendumin e ardhshëm.
Ndërsa në Shqipëri, që tashmë është një ‘Republikë e Kanabisit’ me kultivimin e vitit 2021 sa dyfishi i atij të 2020 sipas ‘Guardia di Finanza’, kërkohet të mbrohen e ‘qytetarizohen’ autoret e kësaj vepre kriminale.
Dëgjoj shumë që akuzojnë këtë qeveri për kanabizimin e viteve 2015-16.
Ok shumë mirë bëjnë, megjithëse me vonesë tashti.
Dikur kur une shkruaja e publikoja për këtë fenomen, vetëm belbëzonin.
Ndërsa tashti shumë pak po përmendin të vërtetën aktuale tragjike:
Shqipëria vazhdon të jete e mbushur me kanabis, pra vepra kriminale është thelluar. Ndërsa qeveria kërkon të çojë drejt ‘legalizimit’ të grupeve përgjegjëse, pra drejt ‘legalizimit” të kësaj vepre kriminale, shumë po heshtin.
Një keshillë për disa ‘opozitare’, merruni edhe me të tashmen!”, shkruan Shehu.
