Regjistrimet për praktikat e detyrueshme profesionale në shkencat mjekësore teknike do të nisin javën e ardhshme. Ndjekja e praktikës 3-mujore me mbikëqyrje dhe vlerësimi pozitiv i saj janë vendimtare për çdo kandidat që do të vijojë më tej procedurat e sigurimit të lejes së ushtrimit të profesionit. Autoritetet e Urdhrit të Infermierit bëjnë me dije se për shkak të situatës së krijuar në vend nga pandemia e koronavirusit, të gjithë të diplomuarit në këto profile mjekësore: infermieri, mami, logopedi, fizioterapi, teknikë laboratori dhe teknikë imazherie duhet që të kryejnë procedurat e regjistrimit pranë strukturave rajonale të urdhrit në zonat ku kanë vendbanimin.
Tarifa që duhet të shlyeni për ndjekjen e praktikës gjatë muajve të ardhshëm edhe për këtë sezon është në vlerën e 3,000 lekëve, të cilën duhet që të shlyeni në një nga bankat e përcaktuara të nivelit të dytë dhe më tej mandat pagesën duhet ta dorëzoni së bashku me dosjen e dokumenteve të kërkuara për regjistrim.
Në përfundim të praktikës profesionale, kandidati i nënshtrohet “Vlerësimit për aftësimin praktik”, të organizuar dhe të zhvilluar nga autoriteti kompetent, nëpërmjet strukturave të veta. Praktika profesionale konsiderohet e kryer vetëm pas vlerësimit pozitiv të aftësimit praktik. Modalitetet e organizimit të vlerësimit të aftësimit praktik përcaktohen në rregulloren e praktikës profesionale, që miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit që mbulon fushën përkatëse dhe të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.
Gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ai kryen praktikën profesionale. Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale çdo individ, i cili provon se, për një periudhë të caktuar dhe në përputhje me kriteret specifike të një profesioni të rregulluar, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni.
Për të fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, çdo kandidat të kryejë praktikën 3 mujore profesionale të detyrueshme, për të vijuar më pas me dhënien e provimit të shtetit, si dhe regjistrimin pranë Urdhrit Profesional që mbulon specialitetin përkatës.
Afatet e regjistrimeve për secilin profil
- Në datat 1 dhe 2 mars do të zhvillohen regjistrimet e praktikës në profilin Fizioterapi.
- Në datën 3 mars do të zhvillohen regjistrimet e në profilet: Logopedia dhe Mami.
- Në datat 4 dhe 7 mars do të zhvillohen regjistrimet në profilet Teknik imazherie, Teknik laboratori.
- Në datat 8, 9 dhe 10 mars do të zhvillohen regjistrimet e praktikës në profilin Infermieri e përgjithshme.
Pranë zyrave rajonale kandidatët duhet të dorëzojnë:
- Kartelën e plotësuar sipas formatit të caktuar.
- Kërkesë anëtarësimi me shkrim dore.
- Diplomën dhe listën e notave të noterizuar.
- Në mungesë të diplomës vërtetim nga Universiteti.
- Curriculum Vitae.
- Fotokopje të Kartës së identitetit ose Pasaportës.
- 6 fotografi dokumenti(me veshje serioze).
- Mandat pagesën e derdhur për llogari të Urdhrit të Infermierit në një nga bankat e caktuara.
