Në këto ditë tejet të vështira për Ukrainën, qytetarët janë mëse të vendosur t’i dalin për zot vendit të tyre. Një rrëfim prekës ka ardhur nga një gazetar ukrainas, i cili ka treguar se si tre vajzat e tij po përballen me bombardimet e luftës. Volodymyr Yermolenko u shpreh për BBC Radio 5 se ishte e paimagjinueshme se si dy më të vegjlit e tij, tre dhe pesë vjeç, dukej se arrinin që ta kuptonin se çfarë po ndodhte rreth tyre.
Gazetari theksoi se ishte detyruar të shkonte në një strehë nëntokësore nga një sulm me raketa. Më tej, gjatë rrëfimit të tij emocionues, ai tha se e kishte pyetur vajzën e tij të madhe e cila është në moshën e adoleshencës nëse ajo kishte frikë nga kjo që po ndodhte dhe ajo i ishte përgjigjur se nuk kishte aspak frikë.
“Aty pashë sesi e vajza 5 vjeçe po i shpjegonte më të voglës se çfarë është lufta. Ishte e jashtëzakonshme sepse kurrë nuk i thashë se çfarë është lufta, ajo disi e dinte, ndoshta nga kopshti, ndoshta nga bisedat tona me gruan time”, rrëfen gazetari.
