Kundërshtari i përbetuar i Vladimir Putinit, Alexei Navalny, i’u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve rusëve që të ngrihen në protesta masive kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Njoftimi për këtë thirrje te Navalnyt për protesta është bërë nga zëdhënësja e tij, mëngjesin e së mërkurës.
“Alexei Navalny ka bërë thirrje që njerëzit të dalin e të protestojnë kundër luftës, çdo ditë, në orën 19:00, dhe në fundjavë në orën 14:00. Në sheshet kryesore të qyteteve tuaja, kudo që të jeni”, ishte mesazhi i zëdhënëses së Navalnyt, Kira Yarmysh.
Lëvizja e kritikut të ashpër të Vladimir Putinit vjen pas thirrjeve të tij të mëparshme për mosbindje civile kundër pushtimit rus të fqinjit të saj.
Navalny njihet si kritiku më i madh i Kremlinit dhe i Presidentit Putin, u burgos vitin e kaluar, pasi u kthye në Rusi nga Gjermania, pas shërimit të tij, ku laboratorët perëndimore konstatuan se rusët kishin tentuar ta helmonin me një agjent nervor në Siberi. Rusia, nga ana e saj, mohoi kryerjen e një sulmi të tillë.
