Ditën e sotme, Partia Demokratike ka dorëzuar një padi në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion ndaj sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi. Kjo padi ka të bëjë me çështjen e shumë diskutuar të Inceneratorëve.
Nëpërmjet një deklarate nga selia blu, Ina Zhupa deklaroi se PD ka denoncuar Ëngjëll Agaçin në SPAK për shkak të shkeljeve ligjore që siç deklaron Zhupa, ai i ka kryer me vetëdije të plotë.
“PD ka vite që denoncon aferën e inceneratorëve. Por me anë të komisionit hetimor të inceneratorëve ne arritëm që t’i provonim shqiptarëve që Edi Rama u ka vjedhur shqiptarëve 430 mln euro. Sot do t’ju sqaroj provat që PD ka paraqitur në një padi penale që do të paraqitet sot në SPAK në lidhje me rolin, funksionin e z.Engjëll Agaçi në koncesionin e Elbasanit, në shkeljet ligjore që janë me vetëdije të plotë në rolin e tij si sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave”, u shpreh Ina Zhupa.
