Në Periodikun e parë për këtë vit, Autoriteti I Mbikqyrjes Financiare sjell një analizë mbi riskun e investimit në kriptomonedha veccanërisht për personat që nuk kanë informacionin e nevojshëm mbi këtë treg. AMF bën me dije se Rregullatori italian i shërbimeve financiare CONSOB më 17 janar, ka urdhëruar mbylljen e 5 faqeve të internetit që ofrojnë shërbime financiare në mënyrë të paligjshme.
Lidhur me këtë mbyllje, rregullatori italian shfrytëzoi kompetencat e reja që rezultojnë nga “Decreto Crescita” (Dekreti i Rritjes; Ligji nr. 58, datë 28 qershor 2019), thekson në Periodik Autoriteti I Mbikqyrjes Financiare. Mbi bazën e këtij dekreti CONSOB mund të urdhërojë ofruesit e shërbimeve të internetit të bllokojnë aksesin nga Italia në faqet e internetit që ofrojnë shërbime financiare pa autorizimin e duhur.
Më tej AMF bën me dije se Numri i faqeve të fshira që nga korriku 2019, kur CONSOB mori fuqinë për të urdhëruar mbylljen e faqeve të internetit të ndërmjetësve financiarë mashtrues, është rritur në 605.
Rregullatori italian i shërbimeve financiare CONSOB ka paralajmëruar lidhur me risqet që vijnë nga investimi në kriptomonedhat nga një numër gjithnjë e më i madh i qytetarëve të cilët nuk kanë njohuri të thelluara në investimin në skema financiare. “CONSOB tërheq vëmendjen e investitorëve për rëndësinë e kujdesit më të madh për të bërë zgjedhje të informuara investimi, me sjellje të arsyeshme, duke pasur si thelbësore mbrojtjen e kursimeve të gjithsecilit. Për faqet e internetit që ofrojnë shërbime financiare, duhet të bëhet kontrolli paraprakisht nëse operatori me të cilin po investoni është i autorizuar dhe që për ofertat e produkteve financiare të jenë publikuar prospektet e duhura”, thekson AMF.
