Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mat, pas publikimit të një video në emisionin investigativ “Stop”, ku në pamjet filmike u transmetua një shtetase që ushtronte dhunë fizike ndaj fëmijëve të saj të mitur, menjëherë kryen verifikimet e rastit.
Në përfundim të veprimeve procedurale, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen A. H., (B), 35 vjeçe, banuese në Burrel, për veprat penale “Keqtrajtim i të miturit” dhe “Dhuna në familje”.
Po në vijim të hetimeve të kryera ka rezultuar se dhe shtetasi V. B., 34 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijëve të tij të mitur, për të cilin ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, falenderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton të denoncojnë çdo paligjshmëri të konstatuar, duke ju garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
