Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara ka bërë një bilanc të ri në lidhje me lufën në Ukrainë duke bërë të ditur se deri më tani janë konfirmuar të vdekur 364 civilë që prej nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.
Ndërkohë, i njëjti burim thotë se 759 civilë të tjerë janë plagosur. Këto informacione janë deri në mesnatën e të shtunës. Theksojmë se Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara përdor një metodologji strikte dhe raporton vetëm për numrin e viktimave të konfirmuara.
Por, kjo zyrë gjithashtu pranoi se shifrat reale vlerësohet të jenë shumë më të larta, “veçanërisht në territorin e kontrolluar nga Qeveria dhe veçmas në ditët e fundit”. Kjo për shkak se informacionet nga këto zona po vonohen që të arrijnë për shkak të luftimeve të vazhdueshme.
Ndërkohë nga ana e tyre, zyrtarët ukrainas kanë paraqitur një numër shumë më të lartë të civilëve të vrarë.
