Bëhet me dije se rreth 300 refugjatë hebrenj janë larguar nga Ukraina dhe kanë mbërritur në Izrael. Ky thuhet se është vetëm grupi i parë i refugjatëve që arrin në Izrael, ndërkohë që ky shtet pret “një valë goxha më të madhe” të migrantëve.
Mendohet se mbi 200,000 ukrainas, që janë hebrenj ose kanë lidhje familjare me hebrenjtë, mund të strehohen në Izrael, si dhe mbi 600,000 rusë që i përkasin të njëjtës kategori.
“Izraeli është shtëpia ime e dytë, ndoshta tani do të bëhet shtëpia ime e parë”, u shpreh Anna nga Kievi, e cila arriti në Tel Aviv për të qëndruar tek të afërmit e saj.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett ishte i pranishëm në aeroport ku priti refugjatët ukrainas, në mesin e të cilëve ishin edhe afër 90 fëmijë nga një jetimore hebreje në Zhytomir.
