Pas mbledhjes së djeshme e cila u shoqërua debate të shumta mbi situatën aktuale të PD-së dhe pas rezultatit në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ku demokratët dolën forcë e tretë, Lulzim Basha është rikthyer sërish sot në selinë blu. Ndërkohë, deputetët i kërkojnë kryedemokratit të reflektojë.
Situata në Partinë Demokratike është e tensionuar. Rezultati shokues për demokratët në zgjedhjet e 6 marsit ka vënë nën trysni kryedemokratin. PD doli forcë e tretë në zgjedhjet e së dielës, ndërsa deputetët e grupit parlamentar i kanë kërkuar Lulzim Bashës të mbajë përgjegjësi dhe të reflektojë, duke i dhënë si opsion edhe dorëheqjen.
Mbledhja e grupit parlamentar që zgjati deri në orët e para të mëngjesit ishte me debate të fortë. Fillimisht Agron Gjekmarkaj dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij në PD, duke qëndruar vetëm si deputet i thjesht. Gjekmarkaj kërkoi që Basha dhe Berisha të bëjnë një hap pas.
Kritike me Lulzim Bashën ka qenë edhe mbështetësja e tij më besnike, Grida Duma. Më mbledhje ajo i ka kërkuar që të mbajë përgjegjësi për rezultatin, ndërsa i kujtoi se beteja e tij me Berishën i kushtoi Partisë Demokratike.
