Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i vijë në ndihmë Ukrainës duke bërë të mundur pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave për qytetarët e këtij vendi. Pra, të gjithë shtetasit ukrainas mund të hyjnë lehtësisht në territorin e Kosovës vetëm me pashaportë.
Ky vendim është marrë këtë të mërkurë, në datën 9 mars. Ky vendim erdhi pas kërkesës që u bë nga ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla.
Qeveria e Kosovës ka shprehur më parë gatishmëri dhe ka ndarë mjetet financiare për të strehuar 20 gazetarë nga Ukraina.
Ky vendim ka hapur rrugën për nisjen e procesit të përzgjedhjes së këtyre gazetarëve nga dy organizatat ndërkombëtare: Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve./ REL
